Lidhje

EULEX: Rritet numri i rasteve të përdhunimeve të raportuara në Kosovë


EULEX: Rritet numri i rasteve të përdhunimeve të raportuara në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:17 0:00

EULEX: Rritet numri i rasteve të përdhunimeve të raportuara në Kosovë

Një raport i publikuar nga misioni i EULEX-it në Kosovë vë në pah se është dyfishuar numri i rasteve të përdhunimeve që raportohen në policinë e Kosovës. Raporti që ka vëzhguar sistemin e drejtësisë në Kosovë gjatë periudhës 2019 deri më 2021 tregon se shumica e viktimave të përdhunimit janë të mitura ndërsa shqetësues mbetët dënimi i ultë i përdhunuesve.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), e cilëson shqetësues shtimin e rasteve të përdhunimeve dhe shkallën e ultë të dënimeve që u shqiptohen autorëve të këtij krimi.

Një raport i këtij misioni me titull “Vlerësimi i trajtimit të rasteve të dhunimit nga sistemi i drejtësisë në Kosovë”, që përfshinë periudhën ndërmjet muajit gusht të vitit 2019 deri në fund të vitit 2021, vë re se shumica e viktimave janë të mitura.

Sipas EULEX-it gjatë periudhës së vëzhgimit, në policinë e Kosovës janë raportuar 228 raste të përdhunimit, 35 për qind prej tyre në Prishtinë.

Chiara Tagliani nga misioni i EULEX-it tha se shqetësuese mbetet shkalla e ultë e dënimit të autorëve të përdhunuimeve.

“Dënimet në rastet e përdhunimeve tregon se përdhunuesit mund të shpëtojnë gati pa asnjë pasojë duke ua vështirësuar kështu viktimave që të raportojnë rastet e përdhunimeve. Misioni ka analizuar 36 raste, 16 ishin me aktgjykime liruese dhe në mesin e 20 rasteve të dënimeve, më shumë se gjysma ishin nën kohëzgjatjen minimale të dënimit sipas ligjit”, tha ajo duke nënvizuar se arsyeja kryesore e mosndjekjes së rasteve të përdhunimeve apo dënimeve të ulta mbetet mungesa e provave të mjaftueshme të dhunës fizike dhe ndryshimi i deklaratave nga viktimat.

Sipas raportit kriminalizimi i veprës penale të përdhunimit në Kosovë ka shënuar përparim të dukshëm në përafrimin me standardet ndërkombëtare, duke krijuar kështu një kuadër ligjor më të fortë për ndjekjen penale të kësaj forme të krimit. Por në terren situata është ndryshe.

“Organet përgjegjëse kanë arsyetuar vonesat me mungesë të numrit të prokurorëve, psikologëve që intervistojnë viktimat e mitura, kohën e duhur për mbledhjen e fakteve, vonesat në ekzaminime dhe mungesën e një protokolli të përbashkët që cakton përgjegjësitë e secilit institucion”, tha zonja Tagliani.

Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark tha se dhuna seksuale nuk është çështje private.

“Trajtimi fillestar i viktimave të dhunës seksuale është thelbësor dhe të mos harrojmë, nuk ka vetëm dhunë ndaj grave dhe vajzave, burrat dhe djemtë janë gjithashtu të ekspozuar ndaj dhunës dhe abuzimit seksual”, tha ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se është shqetësuese rritja e rasteve të raportuara në polici si përdhunime.

“Do të doja të besoja shumë se njëra nga arsyet e rritjes së këtij trendi është vetëdijesimi i grave dhe besimi i tyre në institucione për të raportuar këto raste por të dhënat nuk na mundësojnë një përfundim të tillë”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha se gjithashtu është shqetësuese tejzgjatja e procedurave nga kallëzimi penal deri te ngritja e aktakuzës.

“Kjo pastaj bëhet akoma më e rëndë kur kemi parasysh që procedurat gjyqësore zgjasin shumë duke pritur madje deri në dy vite për të caktuar seancën e parë dëgjimore. Trajtimi i tillë nga institucionet ndjekëse, hetuese dhe gjykuese duhet të marr fund. Rastet e dhunimeve edhe të gjitha rastet tjera të dhunës duhet të merren më seriozisht dhe të trajtohen me më shumë prioritet nga këto institucione”, tha ajo.

Sipas raportit, në gjykatat e Kosovës gjatë periudhës 2019 deri 2021 janë ngritur 77 aktakuza të reja për rastet e përdhunimeve një shifër kjo e ultë në krahasim me lëndët.

Raporti i misionit të EULEX-it u bën thirrje gjykatave që të sigurojnë gjykim të shpejtë por edhe të drejtë të këtyre rasteve.

XS
SM
MD
LG