Lidhje

I akuzuari për vrasjet në një paradë të Ditës së Pavarësisë pritet të dalë në gjykatë


A man leaves flowers at a memorial site after a mass shooting at a Fourth of July parade in the Chicago suburb of Highland Park, Illinois, July 6, 2022.
A man leaves flowers at a memorial site after a mass shooting at a Fourth of July parade in the Chicago suburb of Highland Park, Illinois, July 6, 2022.

I akuzuari për vrasjen e shtatë personave në një paradë të Ditës së Pavarësisë në periferi të Çikagos pritet të dalë në gjykatë të mërkurën.

Autoritetet po përballen me pikëpyetje se si Robert E. Crimo III u lejua të blinte disa armë, pavarësisht se ai përbënte një kërcënim për dhunë. Ndaj tij u ngritën shtatë akuza për vrasje të martën lidhur me sulmin me armë që detyroi qindra pjesëmarrës në një paradë, mes tyre prindër e fëmijë, të largohen me vrap nga frika.

Hetuesit nuk kanë identifikuar ende një motiv për sulmin. Prokurorët thonë se do të ngrejnë dhjetëra akuza të tjera kundër tij. Robert E. Crimo III pritet të bëjë paraqitjen e tij të parë në gjykatë të mërkurën. Avokati i tij tha se ai pritet të deklarohet i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Një armë gjysmë-automatike, e ngjashme me atë të tipit AR-15 u përdor për të qëlluar më shumë se 70 fishekë nga maja e një ndërtese tregtare mbi turmën e paradës, tha zëdhënësi i një grupi pune kundër veprimtarive kriminale në qarkun Lake, Christopher Covelli.

Viktima e shtatë vdiq në spital të martën. Gjatë sulmit, që sic thanë autoritetet ishte planifikuar prej javësh, u plagosën më shumë se 36 persona.

Rreth tre vjet më parë, në shtator të vitit 2019, policia kishte shkuar në shtëpinë e Crimos, pas një telefonate nga një anëtar i familjes, i cili tha se ai po kërcënonte "t’i vriste të gjithë". Policia kishte konfiskuar 16 thika dhe një shpatë dhe sipas autoriteteve nuk kishte asnjë shenjë që ai të kishte ndonjë armë zjarri në atë kohë.

Në prill të vitit 2019 policia iu përgjigj gjithashtu një tentative për vetëvrasje nga i dyshuari.

Robert E. Crimo e bleu në mënyrë të ligjshme, armën e përdorur në sulmin në Illinois vitin e kaluar, tha zëdhënësi Covelli. Në total, ai kishte blerë pesë armë zjarri tha policia, të cilat u gjetën nga oficerët në shtëpinë e babait të tij.

Identifikimi i faktit se i akuzuari kishte blerë armë, është vetëm shembulli më i fundit i qasjes së papenguar që kanë të rinjtë tek armët, pavarësisht nga shenjat e dukshme paralajmëruese të problemeve me shëndetin mendor dhe prirjen për dhunë.

Policia e shtetit të Illinoit, e cila lëshon liçencat për armët, tha se Crimo aplikoi për një liçencë në dhjetor të vitit 2019, kur ishte 19 vjeç. Ishte babai i tij ai që mbështeti aplikimin.

Në atë kohë “nuk kishte baza të mjaftueshme për ta përcaktuar “një rrezik të qartë e të pranishëm” dhe për t’i mohuar atij aplikimin, thuhej në një deklaratë të policisë.

Hetuesit që kanë marrë në pyetje të dyshuarin dhe kanë shqyrtuar postimet e tij në mediat sociale nuk kanë përcaktuar një motiv ose nuk kanë gjetur ndonjë të dhënë se ai po synonte të vriste dikë, tha zëdhënësi Covelli.

Në paradën e 4 korrikut, të shtënat fillimisht u ngatërruan me zhurmën e fishekzjarreve përpara se qindra pjesëmarrës të largoheshin të tmerruar nga vendngjarja.

XS
SM
MD
LG