Lidhje

Eksperti: Rritja e temperaturave po shpejton shkrirjen e akullnajave alpine


Akullnajat në Alpet e Evropës po bëhen më të paqëndrueshme dhe të rrezikshme pasi temperaturat në rritje, të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, po dëmtojnë ato që konsideroheshin prej kohësh si shtresa të fjetura, pothuajse të fosilizuara akulli. Ekspertët thonë se këto akullnaja po dëmtohen në brendësi, duke e bërë pothuaj të pamundur parashikimin e saktë të shembjes së tyre. Shembja e një akullnaje alpine të dielën në Itali shkaktoi vdekjen e të paktën shtatë njerëzve.

Eksperti: Rritja e temperaturave po shpejton shkrirjen e akullnajave alpine
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:18 0:00

Italia po përballet me një valë të nxehtë të fillimit të verës dhe vëmendja është përqendruar në ndikimin e thatësirës tek të korrat në luginën pjellore të Po-së.

Më në veri, shembja e një akullnaje në malin Marmolada, e cila ndodhet në një lartësi prej mbi 3,300 metrash, shkaktoi vdekjen e të paktën shtatë njerëzve.

''E njoh shumë mirë atë akullnajë. Vërtet u befasova. Para këtij incidenti, nuk do të kisha menduar se akullnaja në malin Marmolada ishte e rrezikshme. Ajo ndikohet shumë nga shkrirja dhe tkurrja e akullit për shkak të nivelit të lartësisë në të cilën ndodhet dhe konsiderohej si një akullnajë tipike, që po pësonte tkurrje dhe që mund të zhdukej në vitet e ardhshme. Pra, ishte vërtet e papritur të shihje një shembje të tillë të akullnajës, e ndikuar kaq shumë nga ndryshimet klimatike", thotë Giovanni Baccolo, studiues i akullnajave në Universitetin e Milanos.

Temperatura, që normalisht është nën zero në malin Marmolada, arriti në dhjetë gradë Celsius të shtunën (më 2 korrik), tha në fundjavë guvernatori rajonal i Venetos, Luca Zaia.

Një masë e madhe akulli u shemb afër Punta Rocca, në rrugën që zakonisht përdoret nga alpinistët për të arritur majën e malit, tha njësia italiane e kërkim-shpëtimit për Alpet.

Eksperti i akullnajave Giovanni Baccolo paralajmëroi alpinistët e guximshëm, që shkojnë në male për t'i shpëtuar vapës së verës, të jenë të kujdesshëm, sepse temperaturat e larta po dobësojnë strukturën e akullnajave.

''Meqenëse ndryshimet po ndodhin në brendësi të akullnajave, është e vështirë, thuajse e pamundur, të parashikohet se ku mund të ndodhin shembjet. Kjo shpesh nuk mund të bëhet deri në momentin e fundit, kur ndoshta është tepër vonë”, thotë zoti Baccolo

Ai thotë se ekspertët ende nuk dinë shumë mbi procesin e shkrirjes ose të zhdukjes së akullnajave.

"Për shembull, të dielën (më 3 korrik), diçka e paparashikueshme dhe me pasoja tragjike ndodhi, sepse akullnaja nuk mundi të rrinte ngjitur në faqen e malit për shkak të temperaturave të larta dhe shkrirjes së akullit. Mendoj se tani ekspertët duhet të jenë më të kujdesshëm në studimin e akullnajave që po shkrihen, fazat përfundimtare të të cilave mund të jenë më problematike sesa mendohej më parë”, thotë eksperti italian i akullnajave.

XS
SM
MD
LG