Zyrtarët amerikanë kanë arritur në përfundimin se plumbi që vrau gazetaren veterane të rrjetit Al Jazeera, Shireen Abu Akleh, ka të ngjarë të jetë qëlluar nga një pozicion izraelit. Por ata thonë se plumbi është shumë i dëmtuar për të arritur në një përfundim të padiskutueshëm dhe se nuk ka "asnjë arsye për të besuar" se ajo ishte vënë qëllimisht në shënjestër.
Duke shpallur rezultatet e hetimit të hënën, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se "ekzaminues të pavarur, të palëve të treta" kishin kryer një "analizë mjeko-ligjore jashtëzakonisht të detajuar" të plumbit që e vrau gazetaren. Shireen Abu Akleh u qëllua për vdekje gjatë një sulmi izraelit në Bregun Perëndimor në maj.
Autoriteti Palestinez ua dorëzoi plumbin hetuesve amerikanë, por është kundër çdo roli izraelit në hetim.