Lidhje

Gjashtë të vdekur pas një sulmi me armë zjarri në një paradë për 4 korrikun në Çikago


Mass shooting at a Fourth of July parade in Highland Park
Mass shooting at a Fourth of July parade in Highland Park

ÇIKAGO, Illinoi – Policia thotë se të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe 24 të tjerë janë plagosur nga të shtënat në një paradë me rastin e 4 korrikut në periferi të Çikagos dhe se oficerët e policisë janë në kërkim të një të dyshuari që ka gjasa qëlloi me armë zjarri nga një çati.

Komandanti i policisë së qarkun Highland Park, Chris O'Neill u bëri thirrje banërëve të strehohen në vend. Policia tha se ishte në kërkim të një personi të bardhë, që besohet të jetë rreth 18 deri në 20 vjeç dhe i kërkoi publikut të ndihmojë në gjetjen e tij.

Zëdhënësi i Grupit kundër Krimit në kontenë Lake, Christopher Covelli tha në një konferencë shtypi se personi i armatosur me sa duket hapi zjarr ndaj pjesëmarrësve të paradës nga një çati të hënën në mëngjes duke përdorur një armë që u gjet në vendngjarje. Zoti Covelli thotë se policia beson se ka pasur vetëm një sulmues dhe ai duhet të konsiderohet ende i armatosur dhe i rrezikshëm. Policia nuk ka dhënë detaje për viktimat.

Incidenti ndodh ndërsa në mendjet e shumë amerikanëve janë ende të freskëta ngjarjet si ajo e një masakre më 24 maj që vrau 19 nxënës shkollash dhe dy mësues në një shkollë fillore në Uvalde të Teksasit, dhe sulmi i 14 majit ku u vranë 10 njerëz në një dyqan ushqimor në Buffalo të shtetit të Nju Jorkut.

Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Biden tha se ai dhe bashkëshortja e tij Jill ndihen të pikëlluar nga ngjarja në ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara dhe se ka ofruar ndihmën e qeverisë federale për të komunitetin në Highland Park.

"Kohët e fundit kam nënshkruar legjislacionin e parë të rëndësishëm dypartiak për reformën ndaj armëmbajtjes në pothuajse tridhjetë vjet që ka hyrë në ligj, i cili përfshin veprime që do të shpëtojnë jetë njerëzish. Por ka shumë më tepër punë për të bërë dhe unë nuk do të heq dorë nga lufta kundër epidemisë së dhunës me armë", përfundon deklarata e presidentit Biden.

Policia në kërkim të autorit të dyshuar të sulmit (Çikago, 4 korrik 2022)
Policia në kërkim të autorit të dyshuar të sulmit (Çikago, 4 korrik 2022)

Në një video të filmuar nga gazetari i "The Chicago Sun-Times" pasi filluan të shtënat, shfaqet një grup muzikor që vazhdon të luajë muzikë mbi një platformë të lëvizshme, ndërkohë që njerëzit vrapojnë duke bërtitur. Një foto e publikuar në mediat sociale duket se tregon pellgje me gjak nën karriget e përmbysura në Highland Park.

Gina Troiani dhe djali i saj ishin rrjeshtuar së bashku me fëmijët nga kopshti i tij, gati për të ecur përgjatë trajektores së paradës, kur ajo dëgjoi një zhurmë të lartë që fillimisht mendoi se ishin fishekzjarre, derisa dëgjoi njerëzit që bërtisnin se kishte një sulmues të armatosur.

“Filluam thjesht të vraponim në drejtimin e kundërt”, i tha ajo agjensisë së lajmeve Associated Press.

Djali i saj 5-vjeçar po i jepte biçikletës së tij të dekoruar me shirita në ngjyrë të kuqe dhe blu. Ai dhe fëmijët e tjerë të grupit mbanin flamuj të vegjël amerikanë. Në njoftimin në internet, bashkia thoshte se pjesë e festimeve do të ishin edhe një paradë e fëmijëve me biçikleta dhe e kafshëve shtëpiake.

Zonja Troiani tha se shtynte biçikletën e të birit, ndërsa vraponin përmes lagjes për t’u rikthyer tek makina e tyre.

Në një video që zonja Troiani filmoi me telefonin e saj, disa nga fëmijët shfaqen dukshëm të befasuar nga zhurma e madhe dhe mblidhen në një anë të rrugës, ndërsa një sirenë dëgjohet aty pranë.

“Ishte thjesht një lloj kaosi”, tha ajo. “Kishte njerëz që u ndanë nga familjet e tyre dhe i kërkonin. Të tjerët thjesht hodhën karrocat me sendet e tyre, kapën fëmijët e tyre dhe filluan të vrapojnë”.

Guvernatori i shtetit Illinoi, J.B. Pritzker tha në një postim në Twitter se ai "po monitoron nga afër situatën në Highland Park" dhe se Policia e Shtetit e Illinoit është duke ndihmuar.

Zyra e Sherifit të Qarkut Lake tha në Twitter se po ndihmon policinë e Highland Park për “të shtënat në zonën e rrugës së paradës së Ditës së Pavarësisë". Zyra e sherifit udhëzoi një gazetar të agjensisë së lajmeve Associated Press që të kontaktonte policinë në Highland Park. Departamenti i Policisë tha se asnjë zyrtar nuk ishte në dispozicion të menjëhershëm për të diskutuar incidentin.

Njësitë e policisë në operacion pas të shtënave me armë gjatë paradës së 4 korrikut në Highland Park të Çikagos (4 korrik 2022)
Njësitë e policisë në operacion pas të shtënave me armë gjatë paradës së 4 korrikut në Highland Park të Çikagos (4 korrik 2022)

Debbie Glickman, një banore në Highland Park, tha se ajo ishte në një paradë me kolegët e saj dhe grupi po përgatitej të kthehej në rrugën kryesore kur pa njerëz që vraponin nga zona.

“Njerëzit filluan të thonë: ‘Ka një sulmues, ka një sulmues, ka një sulmues”, tha zonja Glickman për agjensinë e lajmeve Associated Press. “Kështu që ne thjesht vrapuam. Thjesht vrapuam. Është si një kaos masiv atje poshtë”.

Ajo nuk dëgjoi asnjë zhurmë dhe nuk pa askënd që dukej se ishte i plagosur.

"Jam shumë e trembur", tha ajo. "Është shumë e trishtueshme".

XS
SM
MD
LG