Trupat ukrainase u tërhoqën nga qyteti i Lisçanskut për të shmangur një "Mariupol të dytë", tha të hënën Guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Haidai. Pas marrjes nën kontroll të rajonit të Luhanskut, tashmë Rusia po i përqëndron përpjekjet në pushtimin e plotë të rajonit të Donetskut në Ukrainën lindore.
Ushtria e Ukrainës ka tërhequr trupat nga qyteti i Lisiçanskut, pika e fundit e rezistencës ukrainase në provincën e Luhanskut, një nga dy rajonet që përbëjnë zemrën industriale të Donbasit në lindje të vendit.
Guvernatori i provincës së Luhanskut, Serhiy Haidai tha të hënën se trupat ukrainase u detyruan të tërhiqeshin sepse ishin në rrezik të rrethimit nga forcat ruse.
“Njësitë që ishin aty mund të vazhdonin t'i mbanin territoret jo më shumë se tre javë. Por, do të kishte një çmim të lartë për këtë veprim. Lisiçansku mund të ishte bërë një Mariupol i dytë. Mund të pësonte të njëjtin fat si ai. Për këtë arsye, në fund u mor vendimi për tërheqjen e trupave nga Lisiçansku”, tha ai.
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi sot fitoren në rajonin e Luhanskut, një ditë pas tërheqjes së forcave ukrainase nga Lisiçansku.
Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu i raportoi Putinit në një takim televiziv sot se forcat ruse kishin marrë nën kontroll provincën e Luhanskut.
Ministri Shoigu i tha zotit Putin se "operacioni" përfundoi të dielën pasi trupat ruse pushtuan qytetin e Lisiçanskut, bastioni i fundit i forcave ukrainase në Luhansk.
Rusët kontrollojnë gjithashtu rreth gjysmën e Donetskut, provincës së dytë të Donbasit. Zëdhënësi i ushtrisë ukrainase tha se forcat ruse aktualisht po përqendronin përpjekjet e tyre në Sloviansk, Fedorivka dhe Kramatorsk, qytete që ndodhen në rajonin e Donetskut.
“Ata nuk do ta pushtojnë me shpejtësi rajonin e Donetskut ashtu siç bënë me rajonin e Luhanskut sepse ndërsa po zhvilloheshin luftimet për kontrollin e Luhanskut, forcat ukrainase po përforconin pozitat mbrojtëse në Donetsk, të cilat nuk do të mund të merren me lehtësi”, tha Guvernatori i Provincës së Luhanskut, Serhiy Haidai.
Gjatë një fjalim të dielën mbrëma, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u zotua të rimarrë territoret në qytetin e Lisiçankut me ndihmën e armëve të avancuara.
“Fakti që ne mbrojmë jetën e ushtarëve tanë, të njerëzve tanë, luan një rol po aq të rëndësishëm. Ne do të rindërtojmë muret, do të rimarrim terrioret dhe njerëzit duhet të mbrohen mbi të gjitha”, tha presidenti Zelenskyy.
Zyrtarët ukrainas u kanë kërkuar vazhdimisht aleatëve ndihmë me armë më të përparuara për të ndihmuar forcat ukrainase në përballjen me ushtrinë ruse.