Një grup deputetësh dorëzuan sot në Kuvendin e Shqipërisë një projekt-rezolutë mbi përkujtimin dhe nderimin e viktimave të genocidit në Srebrenicë.
Nismëtarët pohuan se projekt-rezoluta iu referohet 3 rezolutave të miratuara nga Parlamenti Europian në vitet 2005, 2009 dhe 2015.
Njëri prej tyre, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se "dokumenti është punuar nga ekspertët më të mirë, është shumë profesional e dinjitoz dhe i bën nder Shqipërisë".
Sipas tij, projekt-rezoluta përmban qëndrimet konseguente të Shqipërisë kundër çdo forme genocidi si në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ashtu edhe në organizata të tjera.
“Përmes diplomacisë parlamentare dhe komunikimeve zyrtare kemi ftuar përfaqësues zyrtarë të Bosnje - Hercegovinës, që të jenë të pranishëm në Tiranë, në këtë moment të rëndësishëm. Solemniteti i kësaj seance, që do të zhvillohet pas një jave, ka rëndësi të veçantë, edhe për faktin që Shqipëria është anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara” - tha zoti Balla.
Ai theksoi se Kuvendi i Shqipërisë nuk do të lejohet të përdoret për qëllime personale të disa individëve, të cilët përpiqen të luajnë për kredibilitet apo përfitime personale me çështje të një rëndësie kombëtare, siç është Kosova.
“Do të kemi ditët nën vijim një projekt-document tjetër, që lidhet me luftën në Kosovë dhe krimet atje. Është një dokument shumë kuptimplotë, për të sqaruar një herë e përgjithmonë gjithçka, që lidhet me luftën në Kosovë për të ngritur lart vlerat e UÇK-së, pas përpjekjeve të herë pas hershme që janë bërë për të kundërtën. Ka patur edhe individë të politikës shqiptare, të cilët kanë hedhur baltë mbi UÇK-në” - tha zoti Balla.
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar 11 rezoluta dhe deklarata për ngjarjet në Kosovë, ku në dy prej tyre është përcaktuar qartë dënimi i gjenocidit serb në Kosovë.
Prej shumë vitesh Shqipëria është ndër vendet e pakta që nuk ka miratuar një rezolutë për të dënuar genocidin serb në Srebrenicë.
Kjo është hera e parë që Kuvendi merr në shqyrtim një projekt-rezolutë për dënimin e genocidit në Srebrencë.
Deputetë të opozitës, mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha, u përpoqën pa sukses në mesin e muajit maj të futnin në punimet e Kuvendit një projekt-rezolutë për Srebrenicën.
Socialistët penguan kalimin e saj në seancë plenare, me argumentin se kërkesa nuk po rrëzohej prej temës, por për shkak të propozuesve të saj.
Deputetët socialistë u shprehën se nuk mund të pranonin propozime të tilla nga një person i shpallur non grata nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracisë, dhe i njohur edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit.
Projekt-rezoluta e dorëzuar sot pritet të miratohet në seancën plenare të 7 korrikut. Parlamenti Europian ka shpallur 11 korrikun si datën e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.