Lidhje

Sondazhi: Shumica e amerikanëve thonë se vendi nuk po ecën në rrugën e duhur


Një shumicë dërrmuese dhe në rritje e amerikanëve thonë se Shtetet e Bashkuara po ecin në drejtim të gabuar, mes tyre rreth 8 në 10 demokratë. Sondazhi i realizuar nga Qendra Kërkimore për Çështjet Publike e agjencisë së lajmeve Associated Press (AP-NORC) tregon se pakënaqësitë e qytetarëve rreth ekonomisë përbëjnë një nga problemet më të mëdha për Presidentin Joe Bide.

Tetëdhjetë e pesë për qind e amerikanëve në moshë të rritur thonë se vendi po ecën në rrugën e gabuar. 79 për qind e cilësojnë ekonominë amerikane në gjendje të keqe.

Gjetjet tregojnë se Presidenti Biden përballet me sfida thelbësore ndërsa përpiqet të nxisë amerikanët të votojnë për demokratët në zgjedhjet për Kongresin që zhvillohen në nëntor, që përkojnë me mesin e mandatit të tij.

Inflacioni ka eklipsuar vazhdimisht normën e shëndetshme të papunësisë prej 3.6%, dhe amerikanët po përballen me çmime të larta të benzinës dhe ushqimeve. Edhe mes demokratësh, 67 për qind e shohin gjendjen ekonomike si të keqe.

Ai po bën atë që mundet. Nuk mund të them se po bën punë të mirë”, thotë Chuck McClaim, 74 vjeç ndërsa shton se: “Mendoj se demokratët në Kongres nuk po bëjnë mjaftueshëm”.

Zoti McClaim banon në Las Vegas dhe është një demokrat besnik. Ai tha se nuk mungon në zgjedhje, por shtoi se çmimi i gazit dhe ushqimeve, lufta e Rusisë në Ukrainë dhe ndarjet e thella politike në vend kanë bërë që të shtohet numri i amerikanëve që mendojnë se Uashingtoni nuk po merret me problemet që ka brenda.

Unë dhe bashkëshortia ime ndihemi të shqetësuar rreth asaj se ku po shkon vendi dhe nuk kemi shumë shpresë për një zgjidhje politike që mund ta përmirësonte situatën”, thotë ai.

Sondazhi tregon se vetëm 39 për qind e amerikanëve mbështesin punën që po bën Presidentit Biden në përgjithësi, ndërsa 60 përqind mendojn ë të kundërtën. Mbështetja për administratën Biden ra në pikën më të ulët muajin e kaluar dhe vazhdon të jetë në atë nivel.

Presidenti demokrat kritikohet edhe më shumë për ekonominë, me 69 për qind të amerikanëve që thonë se nuk e mbështesin atë, për sa i përket kësaj çështjeje.

Vetëm 14 për qind e të anketuarve thonë se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur, shifër më e ulët krahasuar me 21 për qind në maj dhe 29 për qind në prill. Në gjysmën e parë të vitit 2021, rreth gjysma e amerikanëve thanë se vendi po ecën në drejtimin e duhur, një përqindje që ka rënë vazhdueshëm gjatë vitit të kaluar.

Dorothy Vaudo, 66 vjeçar, tha se votoi për zotin Biden më 2020, por këtë vit ka ndryshuar mendim.

Jam demokrate, ndaj duhej të votoja demokratët, por kjo do të ndryshojë”, thotë banorja e bashkisë Marin, në Karolinën e Veriut.

Gjatë javëve të fundit, amerikanët kanë vazhduar të marrin lajme të këqija lidhur me ekonominë e vendit. Inflacioni dhe normat e interesit vazhdojnë të rriten dhe ekonomistë të njohur parashikojnë recesion. Megjithatë, të dhënat tregojnë shpenzimet e konsumatorëve kanë ruajtur ritmin ndërsa punësimet vazhdojnë, tregues këta, se familjet dhe bizneset kanë arritur që ta përballojnë këtë situatë të rënduar ekonomike.

Në një intervistë të dhënë gjatë këtij muaji për agjencinë amerikane të lajmeve “Associated Press”, Presidenti Biden ka thënë se rënia e popullaritetit të tij lidhet me rritjen e çmimeve të gazit, rritje kjo që filloi një vit më parë.

Ai tha se çmimet u rritën edhe më shumë me nisjen e agresionit të Rusisë në Ukrainë në muajin shkurt. Por ai hodhi poshtë pretendimet e ligjvënësve republikanë dhe disa ekonomistëve se paketa prej 1.9 trilionë dollarësh e miratuar në vitin 2021 si ndihmë për amerikanët për t’u përballur me pasojat e koronavirusit, ka kontribuar në inflacion. Presidenti Biden theksoi se rritja e çmimeve ishte një fenomen global.

"Ne jemi në një pozicion më të fortë se çdo komb në botë për ta kapërcyer situatën e krijuar nga inflacioni" tha presidenti Biden. "Nëse (këtu) është faji im, pse atëherë edhe në vende të tjera të mëdha në botë inflacioni është rritur?”.

Douglass Gavilan, një 26-vjeçar nga Majami, është i shqetësuar për çmimet dhe qiratë e rritura tejmase që sheh në komunitetin e tij. Kostot e banimit janë afërsisht një e treta e indeksit të çmimeve të konsumit në SHBA, kështu që rritja e qirave dhe vlerës së shtëpive ka filluar të sforcojë buxhetet edhe të shumë njerëzve që jetojnë aty ku ka mundësi të forta punësimi.

"Nuk e di nëse do të jem në gjendje të jetoj këtu pas disa vitesh", tha zoti Gavilan. "Padyshim që nuk ndihem i sigurt me situatën ekonomike".

Megjithëse ai nuk identifikohet si përkrahës i rregullt i një partie politike, zoti Gavilan votoi për zotin Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Ai thotë se Presidenti Biden nuk ka bërë ndonjë propozim që do sillte një ndryshim domethënës në jetën e tij, por mendon se presidenti është në një situatë të vështirë.

Sondazhi u krye nga e enjtja deri të hënën. Një pjesë e madhe e të anketuarve u morën në pyetje pasi Gjykata e Lartë, me një vendim të marrë të premten, i hoqi abortit një mburojë kushtetuese, duke ua lënë shteteve të drejtën që të vendosin për ta ndaluar ose jo atë. Bazuar në sondazhet e mëparshme, vendimi i Gjykatës kundërshtohet nga shumica e popullit amerikan, çka mund të ketë ndikuar në gjendjen emocionale të të intervistuarve.

Pakënaqësia kombëtare është përafërsisht e njëjtë tek përkrahësit e të dyjave partive kryesore amerikane, tregon sondazhi. Nëntëdhjetë e dy për qind e republikanëve dhe 78 për qind e demokratëve thonë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar. Krahasuar me muajin e kaluar, përqindja e demokratëve që thonë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar u rrit nga niveli prej 66%.

Trajtimi i pandemisë së koronavirusit nga administrata e Presidentit Biden mbetet një pikë relativisht pozitive, me 53% të amerikanëve që thonë se e përkrahin mënyrën se si ai e ka trajtuar këtë çështje. Nga ana tjetër, vetëm 36% thonë se e mbështesin mënyrën si si zoti Biden ka trajtuar çështjen e armëve; 62% nuk e miratojnë.

Por ekonomia është ajo që rëndon mbi shumë amerikanë e ndaj është përparësi e tyre.

Curtis Musser, një mësues kimie nga Klermont i shtetit të Floridës, 57 vjeç, thotë se pret që vendi të përballet me një recesion, por parashikon se do të jetë i butë.

Zoti Musser thotë se shumë amerikanë ndihen sikur janë në mëshirën e ngjarjeve që janë jashtë kontrollit të tyre, pavarësisht se për çfarë bëhet fjalë, qoftë kjo pandemia, rritja e normave nga Rezerva Federale, lufta në Evropë ose konflikti politik brenda vendit.

"Ndihem i pafuqishëm”, thotë ai. “Ne nuk mund t’i kontrollojmë tregjet dhe nuk mund ta marrim me mend se si do të reagojnë ato. Nuk e dimë as çfarë do të bëjë Kongresi apo Vladimir Putini”.

XS
SM
MD
LG