Turqia ra dakord të martën të heqë dorë nga kundërshtimi i saj ndaj anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO, një pikë kthese në ngërçin që kishte hedhur hije në takimin e udhëheqësve të aleancës në Madrid, mes krizës më të rëndë të sigurisë në Evropë në dekada, të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
Pas bisedimeve urgjente të nivelit të lartë, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg tha se "tani kemi një marrëveshje që u hap rrugën Finlandës dhe Suedisë për t'u anëtarësuar në NATO".
Agresioni i Rusisë në Ukrainë bëri që Suedia dhe Finlanda të braktisin statusin e tyre neutral dhe të paraqesin kërkesat për t'u bashkuar me NATO-n. Por, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan bllokoi përpjekjet e tyre duke këmbëngulur që dyshja nordike të ndryshojë qëndrimin ndaj grupeve kryengritëse kurde që Turqia i konsideron terroristë.
Turqia kërkon po ashtu ekstradimin e anëtarëve të organizatave kurde që janë kundër qeverisë së presidentit turk dhe heqjen e kufizimeve ndaj Turqisë për eksportet e armëve.
Presidenti finlandez Sauli Niinistö tha se udhëheqësit e tre vendeve nënshkruan një marrëveshje të përbashkët pas bisedimeve të martën.
Turqia tha se “mori atë që donte" duke përfshirë "bashkëpunimin e plotë...në luftën kundër" grupeve kryengritëse.
Marrëveshja do t'i lejojë udhëheqësit e NATO-s të përqendrohen në çështjen e tyre kryesore: një Rusi gjithnjë e më të paparashikueshme dhe agresive.
Agjencia e lajmeve Reuters citoi një zyrtar të lartë amerikan të ketë thënë se presidenti Joe Biden mbështet marrëveshjen që do të lejojë Finlandën dhe Suedinë të anëtarësohen në NATO dhe luajti një rol prapa skenës në negociatat e vendeve nordike me Turqinë.
Kryeministri britanik Boris Johnson shkroi në rrjetet sociale: "lajm fantastik teksa nisim samitin e NATO-s. Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës do ta bëjë aleancën tonë të shkëlqyer më të fortë dhe më të sigurt".
Presidenti amerikan Joe Biden dhe udhëheqësit e tjerë të aleancës 30 anëtarëshe u mblodhën në një takim të nivelit të lartë që zhvillohet nesër dhe pasnesër në Madrid. Takimi ndodhë në një periudhë të vështirë, të shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës. Gjatë takimit udhëheqësit pritet të shfaqin unitetin e tyre në mbështetje të Kievit, të vendosin për shtimin e pranisë së forcave të NATO-s në krahun lindor të saj dhe miratimin e një koncepti strategjik mbi përparësitë e aleancës në dekadën e ardhshme.
*Pjesë të materialit u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press dhe Reuters