Lidhje

Norvegjia nderon viktimat e sulmit me armë në kryeqytet


Kryeministri i Norvegjisë dhe anëtarët e familjes mbretërore iu bashkuan të dielën shërbesës përkujtimore për nder të viktimave të një sulmi me armë në një nga lagjet e njohura në qendër të kryeqytetit të vendit. Shërbesa u mbajt në katedralen e Oslos.

Një person i armatosur hapi zjarr në orët e para të mëngjesit të së shtunës, duke vrarë dy persona, dy burra 50 dhe 60 vjeç, si duke plagosur më shumë se 20 të tjerë. Shërbimi norvegjez i Sigurisë e quajti ngjarjen një “akt terrorist islamik”, që ndodhi gjatë Festivalit vjetor të Krenarisë së Komunitetit LGBTQ. Autoritetet thonë se një person, që dyshohet të jetë autor i sulmit, ndodhet në paraburgim.

Skena e krimit përfshinte një klub nate (London Pub) që frekuentohet shumë nga komuniteti LGBTQ. Autoritetet policore thonë se mbetet e paqartë nëse motivi i të dyshuarit ishte urrejtja ndaj pakicave seksuale. Ai është identifikuar si një shtetas norvegjez, 42-vjeçar, me origjinë nga Irani.

Në një fjalim gjatë shërbesës përkujtimore të së dielës Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Stoere tha se "ajo çka ndodhi i dha fund Paradës së Krenarisë, por nuk e ka ndaluar luftën dhe përpjekjet për të luftuar diskriminimin, paragjykimin dhe urrejtjen".

Ai iu drejtua komunitetit mysliman të Norvegjisë gjithashtu.

E di se si janë ndjerë shumë prej jush kur doli se autori i përkiste komunitetit islam. Shumë prej jush keni përjetuar frikë. Por duhet ta dini se ne qëndrojmë së bashku, ne jemi një komunitet dhe jemi përgjegjës për komunitetin së bashku", tha zoti Gahr Stoere gjatë shërbesës në kishë, ku mori pjesë edhe Princesha e Kurorës Mette-Marit.

Mediat norvegjeze e kanë identifikuar të dyshuarin si Zaniar Matapur, banor i Oslos, i cili ka mbërritur në Norvegji me familjen e tij nga një pjesë kurde e Iranit, në vitet 1990.

Agjencia norvegjeze e Sigurisë së Brendshme (PST) bëri të ditur të shtunën se fillimisht ishte vënë në dijeni rreth personin të dyshuarin në vitin 2015 dhe më vonë ndaj tij ishin rritur shqetësimet se ishte radikalizuar dhe ishte bërë pjesë e një rrjeti të islamik, të cilin nuk e specifikoi.

Të dielën, mediat norvegjeze njoftuan se Zaniar Matapur dyshohet se mbante lidhje të ngushta me një ekstremist islamik që jetonte në Norvegji, i cili njihej prej kohësh nga strukturat e policisë norvegjeze.

Transmetuesi publik norvegjez NRK bëri të ditur se ekstremisti, i identifikuar si Arfan Bhatti, njihet ndër të tjera edhe për pikëpamjet e tij të forta kundër homoseksualëve.

XS
SM
MD
LG