Lidhje

Dëshmitarë të rinj për të detajuar se si Trumpi e shtyu Departamentin e Drejtësisë të hetonte pretendimet për mashtrim në zgjedhje


Mediat amerikane njoftojnë se organet federale të rendit kanë kontrolluar shtëpinë e një zyrtari të Departamentit të Drejtësisë, i cili punonte gjatë kohës kur vendi drejtohet nga Presidenti Trump.

Roli i zoti Jeff Clark, i cili mbrojti përpjekjet e zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, pritet të jetë pjesë e seancës dëgjimore që po heton sulmin e dhunshëm të 6 janarit në Kapitol.

Komisioni i Kongresit që po heton shkaqet e trazirave të 6 janarit të vitit të kaluar në Kapitolin e SHBA-së po dëgjon të enjten dëshmi se si ish-presidenti Donald Trump i nxiti zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë të hapnin hetime rreth akuzave për mashtrime në zgjedhjet e vitit 2020, që ai shpresonte se do të përmbysnin rezultatin e humbjes së tij ndaj demokratit Joe Biden.

Kryetari i Komisionit të Përzgjedhur të Dhomës së Përfaqësuesve, Bennie Thompson tha se paneli do të shqyrtojë "përpjekjen e Trumpit për të korruptuar organin më të lartë të zbatimit të ligjit në vend", ashtu siç dëshmuan të martën zyrtarët shtetërorë të Arizonës dhe Xhorxhias, se Trumpi u përpoq pa sukses t'i detyronte ata të emëronin elektorë fals për ta ndihmuar atë të qëndronte në detyrë për katër vjet të tjera, ose të skualifikonte votat që tregonin se Joe Biden kishte fituar.

Seanca dëgjimore e së enjtes pritet të përqëndrohet pjesërisht në përpjekjet e supozuara të ish Ndihmës Prokurorit të Përgjithshëm Jeffrey Clark, për të nxitur në mënyrë të përsëritur zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë, që të hetonin pretendimet për mashtrime zgjedhore dhe për të detyruar disa shtete të kthenin mbrapsht rezultatet e tyre zgjedhore që tregonin se Joe Bideni kishte fituar.

Ndihmësit thonë se ish Presidenti Trump mendoi të emëronte zotin Clark si Prokuror të Përgjithshëm në vend të Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë, Jeff Rosen, i cili, ashtu si paraardhësi i tij, ish-Prokurori i Përgjithshëm William Barr, tha se nuk kishte prova mashtrimi të mjaftueshme për të përmbysur fitoren e zotit Biden.

Në një videoklip të shkurtër të shfaqur në fund të seancës dëgjimore të së martës, Richard Donoghue, i cili shërbeu si Zëvendësprokuror i Përgjithshëm nga dhjetori 2020 deri në janar 2021, tha se ai do të kishte dhënë dorëheqjen menjëherë nëse ish presidenti do të kishte emëruar zotin Clark si prokuror të përgjithshëm në javët e fundit të tij në detyrë.

Seanca dëgjimore e së enjtes është e pesta e këtij muaji, ndërsa komisioni i Kongresit po heton rolin e zotit Trump në nxitjen e sulmit në Kapitol, ndërsa ligjvënësit ishin mbledhur për të çertifikuar fitoren e presidentit Joe Bidenit në Kolegjin Zgjedhor.

Rreth 2,000 mbështetës, të nxitur nga zoti Trump për të shkuar drejt Kapitolit, hynë me forcë në ndërtesën e Kongresit, duke u përplasur me policinë, duke shkaktuar dëme në ndërtesë dhe duke plaçkitur zyrat brenda.

Më shumë se 800 nga protestuesit janë akuzuar për një sërë veprash penale dhe rreth 300 prej tyre kanë pranuar fajësinë, ose janë shpallur fajtorë nga gjykata dhe po vuajnë dënime, që shkojnë nga disa javë në më shumë se katër vjet burg.

Zoti Trump e ka kritikuar ashpër komisionin hetimor, të përbërë nga shtatë demokratë dhe dy republikanë, duke thënë se ai është i njëanshëm.

Seancat dëgjimore do të përfundojnë të enjten. Komisioni pritet t’i publikojë gjetjet e tij në fund të verës.

Ligjvenësi demokrat Jamie Raskin, anëtar i komisionit, u tha gazetarëve se "ne po marrim prova të reja të përditshme me një shpejtësi të madhe dhe po përfshijmë vazhdimisht informacionin e ri që po del."

"Ka prova që vijnë nga burime të ndryshme tani," tha ai, "dhe mendoj se njerëzit kanë parë se ne po drejtojmë një hetim serioz, që është i një natyre dypartiake, që është i përqëndruar vetëm në marrjen e fakteve të asaj që ndodhi, dhe shumë njerëz po vijnë tani me informacione të reja”.

Disa zyrtarë kryesorë në administratën e ish presidentit Trump kanë bashkëpunuar me hetimet e komisionit. Por të tjerët kanë refuzuar, duke shfrytëzuar në mënyrë të përsëritur të drejtën e tyre kushtetuese për të mos dëmtuar veten përmes dëshmisë, dhe nuk kanë pranuar t'u përgjigjen pyetjeve në lidhje me veprimet e ish presidentit Trump, si dhe veprimet e tyre në periudhën paszgjedhore dhe më 6 janar. Dy ish-këshilltarët e Trumpit, Steve Bannon dhe Peter Navarro, refuzuan të paraqiten në seanca dhe u paditën për mosbindje ndaj kërkesës së Kongresit.

XS
SM
MD
LG