Parlamenti Evropian votoi në shumicë dërrmuese të enjten për t'i dhënë Ukrainës statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Ky vendim e sjell Kievin një hap më pranë aleatëve perëndimorë, të cilët e kanë furnizuar me sasi masive armatimesh, për ta ndihmuar atë të përballet me agresionin e Rusisë.
Votimi në parlament përfundoi me 529 vota në favor të Ukrainës, 45 kundër dhe 14 abstenime. Parlamenti Evropian miratoi gjithashtu edhe statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian të Gjeorgjisë dhe Moldavisë.
Votimi erdhi pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se po dërgonin 450 milionë dollarë të tjera ndihmë ushtarake në Ukrainë, përfshirë disa sisteme shtesë raketash me rreze të mesme veprimi, krahas një ndihme prej 1 miliard dollarësh, që Uashingtoni njoftoi një javë më parë.
Në një mesazh në Facebook, Kryetari i Parlamentit ukrainas Ruslan Stefanchuk falënderoi ligjvënësit evropianë për mbështetjen e treguar. “Ukraina është një vend i BE-së. Dhe ne luftojmë për këtë të drejtë jo vetëm në fushën e betejës, por edhe në sferën ligjore”, shkruante ai.
Në mënyrë që të tre vendet t’i bashkohen bllokut prej 27-anëtarësh, atyre u kërkohet të kryejnë një sërë reformash politike dhe ekonomike.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Ukraina "ka përmbushur tashmë afërsisht 70% të rregullave, normave dhe standardeve të BE-së". Por ajo shtoi se duhet bërë shumë në çështje që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, përballjen me oligarkët, nismat antikorrupsion si dhe garantimit të të drejtave themelore.
Më herët gjatë ditës Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shprehu besimin të enjten se udhëheqësit e BE-së do të votojnë në favor të dhënies së statusit të vendit kandidat Ukrainës. Udhëheqësit e 27 vendeve anëtare që janë mbledhur në Bruksel pritet të vendosin edhe për Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, ata do të diskutojnë gjithashtu për mbështetje të mëtejshme ushtarake për Ukrainën, ndërsa Rusia po intensifikon bombardimet në rajonin Donbas.
Në prag të takimit të BE-së, presidenti i Ukrainës foli të mërkurën nëpërmjet lidhjes videofonike për një audiencë në Amsterdam, duke kërkuar që BE-ja të miratojë kërkesën e vendit të tij për anëtarësim.
“Jam i sigurtë se asnjë prej nesh, asnjë prej jush, nuk ka dyshim se Ukraina duhet të marrë një vendim pozitiv. E meritojmë. E meritojmë, jo vetëm për trimërinë tonë dhe për luftën tonë për liri”, tha Presidenti Zelenskyy.
Lufta vazhdon në rajonin lindor të Donbasit. Forcat ukrainase ende po rezistojnë në qytetin Sievierodonetsk. Ata kërkojnë më shumë ndihma nga Perëndimi, ndërsa përballen me forcat ruse më të shumta në numër dhe më të mirëpajisura.
Krerët e vendeve të Bashkimit Evropian do të diskutojnë për mbështetje të mëtejshme ushtarake për Ukrainën. 27 udhëheqësit pritet të miratojnë statusin e vendit kandidat për Ukrainën, duke i dhënë asaj mundësinë për anëtarësimin e plotë në BE.
“Ukraina na përket neve; i përket familjes evropiane”, tha Kancelari gjerman Olaf Scholz.
Përfitimet për Ukrainën nga anëtarësimi në BE janë të qarta, thotë analistja Camino Mortera-Martinez.
“Është një treg i madh i përbashkët. Ka një sërë institucionesh dhe organizatash, që mund të ndihmojnë. Ka fonde që mund të merren. Për Ukrainën, mendoj se më e rëndësishmja është ta marrë këtë sinjal se tashmë i përkasin një grupi vendesh që janë të gatshëm t’i rezistojnë Rusisë”, thotë zonja Mortera-Martinez.
Përgjatë katër muajve të konfliktit, presidenti i Ukrainës u ka dhënë udhëheqësve evropianë mesazhin se ukrainasit e meritojnë anëtarësimin në BE, si shpërblim për mbrojtjen e Evropës nga agresioni rus. Por, anëtarësimi i plotë vazhdon të jetë ende larg.
“Mund të marrë 10 apo më shumë vite. Bëhet me kapituj për çdo etapë politikash të Komisionit (Evropian). Pra, duhet shumë negocim për të përmbyllur kapitujt, për të përfunduar negociatat. Kjo nënkupton shumë reforma për Ukrainën”, thotë zonja Mortera-Martinez.
Duke folur për Zërin e Amerikës, ambasadori amerikan në Rusi mbështeti anëtarësimin e Ukrainës në BE.
“Mbështesim aspiratat e ukrainasve për t’u anëtarësuar (në BE), dhe është tragjike që është kërcënimi rus që po e shtyn Ukrainën më pranë perëndimit”, tha Ambasadori John S. Sullivan.
Ndërkohë, Ukraina ka paralajmëruar se Rusia do të intensifikojë sulmet në ditët në vazhdim, ndërsa vendi përpiqet të shkëpusë marrëdhëniet me lindjen dhe të krijojë një të ardhme evropiane.