Lidhje

Izraelitët reagojnë pas rënies së qeverisë


Izraelitët reagojnë pas rënies së qeverisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:43 0:00

Izraelitët reagojnë pas rënies së qeverisë

Banorët e Jeruzalemit shprehen reagime të ndryshme lidhur me lajmin se Izraeli po shkon drejt zgjedhjeve të pesta brenda tre viteve. Qeveria e koalicionit në largim njoftoi të hënën se do të shpërndajë parlamentin dhe shpallë zgjedhje të reja, duke krijuar mundësinë për një rikthim të mundshëm në pushtet të ish-kryeministrit Benjamin Netanyahu, ose një periudhe tjetër të zgjatur ngërçi politik.


Zgjedhjet do të sjellin në qendër të betejës për pushtet Benjamin Netanyahun, figurën polarizuese të politikës izraelite, i cili ka udhëhequr opozitën, që nga viti i kaluar. Yosef Zarifi, banor i Jeruzalemit, thotë se pas stuhisë do të vinë ditë të mira.


“Në vend do të jetë një rrëmujë, por do të jetë mirë. Nën udhëheqjen e zotit Netanyahu, e djathta do të marrë drejtimin e vendit dhe shpresoj të kenë nxjerrë mësime nga gabimet e bëra më parë. Shpresoj të jetë mirë.”


Kryeministri Naftali Bennett, dikur aleat dhe ndihmës i zotit Netanyahu, formoi një koalicion qeverisës një vit më parë me synimin për t’i dhënë fund përsëritjeve të shumta të zgjedhjeve në vend


Por qeveria e brishtë, një koalicion që përfshin parti nga i gjithë spektri politik, humbi shumicën në fillim të këtij viti dhe javët e fundit është përballur me kundërshtime nga ligjvënës të ndryshëm.


“Jam i shqetësuar nga rënia e qeverisë. Do të kisha dashur një qeveri më të qëndrueshme sepse është më mirë për vendin”, thotë banori i Jeruzalemit, Arye Levin.


Sipas marrëveshjes së koalicionit, Ministri i Jashtëm izraelit Yair Lapid, i cili kryeson partinë e madhe centriste Yesh Atid, do të marrë postin e kryeministrit të përkohshëm deri në zgjedhje, në të cilat pritet të jetë rivali kryesor i zotit Netanyahu.


Nga viti 2019 deri në vitin 2021, Izraeli mbajti katër zgjedhje pa fitues të qartë, që ishin kryesisht referendume në lidhje me aftësitë e zotit Netanyahu për të qeverisur ndërsa hetohej për korrupsion. Zoti Netanyahu i ka mohuar akuzat. Nissim Ben Atar, banor i Jeruzalemit, thotë se një fitore e brishtë sjell një qeveri të brishtë.


“Viti i fundit, ishte viti më i keq për Izraelin për një arsye të thjeshtë, se një kryeministër erdhi në pushtet me gjashtë vende në kabinet dhe përfundoi me dy vende, sepse të gjithë e braktisën. Bëri mirë që u largua në momentin e fundit duke shpëtuar veten”.


Anketat e opinionit publik tregojnë se partia Likud e zotit Netanyahu, e vijës së ashpër, sërisht do të rifitojë statusin e partisë më të madhe në vend. Por ajo çka mbetet e paqartë, është aftësia e zotit Netanyahy për të fituar mbështetjen e nevojshme të shumicës së ligjvënësve për të formuar një qeveri të re.

XS
SM
MD
LG