Lidhje

Lituania i përgjigjet kërcënimit rus për Kaliningradin: po zbatojmë sanksionet e BE-së


Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis

LONDËR – Rusia paralajmëroi të hënën vendin anëtar të NATO-s, Lituaninë, se nëse nuk i rikthehet me shpejtësi e drejta e tranzitit të mallrave drejt enklavës ruse Kaliningard, në Detin Baltik, atëherë Moska do të ndërmerrte masa të papërcaktuara për të mbrojtur interesat e saj kombëtare.

Ndërsa marrëdhëniet lindje-perëndim gjenden në pikën më të ulët të gjysmë shekullit të fundit që nga fillimi i sulmit të forcave ruse në Ukrainë më 24 shkurt, Vilniusi ndaloi tranzitin e mallrave ndaj të cilave ka vendosur sanksione Bashkimi Evropian, përmes territorit të Lituanisë drejt enklavës së Kaliningradit, duke përmendur rregullat për sanksionet e BE-së.

Ministria e jashtme e Rusisë thirri diplomatin më të lartë lituanez në Moskë për t’i dorëzuar një notë proteste, ndërsa Kremlini thotë se situata është përtej seriozes.

“Situata është më shumë se serioze”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dimtry Peskov. “Ky vendim është vërtet i paprecedentë. Është shkelje e gjithçkaje”.

Ministria e jashtme e Rusisë kërkoi që Vilniusi të zhbëjë atë që e konsideron një lëvizje “haptazi armiqësore”.

“Nëse nuk rikthehet nga Lituania në të ardhmen e afërt tranziti i kontejnerëve ndërmjet rajonit të Kaliningradit dhe pjesës tjetër të Federatës Ruse, atëherë Rusia mund të shfrytëzojë të drejtën për të ndërmarrë veprime për të mbrojtur interesat e saj kombëtare”, u shpreh ministria ruse.

Pamje nga porti i Kaliningradit
Pamje nga porti i Kaliningradit

Kaliningradi, dikur porti me emrin Koenigsberg dhe ish-kryeqytet i Prusisë lindore, u mor nga Ushtria e Kuqe në prill 1945 dhe u bë pjesë e Bashkimit Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore. Ky territor ndodhet mes vendeve anëtare të NATO-s, Polonisë dhe Lituanisë.

Lituania tha se thjesht po zbaton sanksionet e BE-së, të vendosura në kuadrin e disa masave për të ndëshkuar Presidentin Vladimir Putin për sulmin ndaj Ukrainës.

“Lituania nuk po bën asgjë; janë sanksionet evropiane që hynë në fuqi nga 17 qershori”, u tha gazetarëve në Luksemburg ministri i jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis.

“U veprua në konsultim me Komisionin Evropian dhe sipas udhëzimeve të Komisionit Evropian”, tha zoti Landsbergis.

Kompania shtetërore e hekurudhave të Lituanisë njoftoi klientët e saj se nga 17 qershori, mallrat ndaj të cilave janë vendosur sanksione, si çeliku dhe hekuri, nuk do të lejoheshin të transportoheshin përmes Lituanisë, tha zoti Landsbergis.

Zëvendës Presidenti i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis, tha se kishte biseduar me Presidentin e Lituanisë, Gitanas Nauseda, i cili tha se Vilniusi po zbaton sanksionet e BE-së.

Zëvendës Presidenti i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis
Zëvendës Presidenti i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis

“Duhet të mbledhim qartësisht të gjitha faktet dhe pasojat, por siç nënvizoi Presidenti Nauseda, Lituania thjesht po zbaton sanksionet e BE-së”, tha zoti Dombrovskis.

“Pra, në këtë rast, vërtet, nëse është një zbatim i sanksioneve të BE-së, është e qartë se ne duhet të qëndrojmë me vendet tona anëtare që po i zbatojnë sanksionet”, shtoi ai.

XS
SM
MD
LG