Lidhje

Le Pen: "ngjarje sizmike" rritja e përfaqësimit në parlament


Marine Le Pen
Marine Le Pen

PARIS - Udhëheqësja e së djathtës ekstreme franceze Marine Le Pen tha të hënën se rritja e jashtëzakonshme e partisë së saj gjatë zgjedhjeve parlamentare është një "fitore historike" dhe një "ngjarje sizmike" në politikën e vendit.

Shumë votues të dielën zgjodhën të votojnë për kandidatë të ekstremit të djathtë apo të majtë, duke ia mohuar kështu aleancës së qendrës të Presidentit Emmanuel Macron një shumicë të qartë në Asamblenë Kombëtare.

Partia e zonjës Le Pen, "Bashkimi Kombëtar", fitoi 89 vende në parlamentin prej 577 vendesh, krahasuar me vetëm 8 vende në parlamentin e mëparshëm. Në kahun tjetër të spektrit politik, koalicioni i majtë "Nupes", i udhëhequr nga përfaqësuesi i linjës së ashpër Jean-Luc Melenchon, fitoi 131 vende, duke u bërë kështu forca kryesore opozitare.

Alenca e qendrës e zotit Macron, "Së Bashku!", fitoi më shumë vende, 245, por nuk arriti të marrë edhe 44 vendet që do t'i jepnin shumicën në Asamblenë Kombëtare, dhomën më të fuqishme të parlamentit të Francës.

Është më se i pazakontë në Francë rezultati i këtyre zgjedhjeve parlamentare, me një paraqitje të fortë të partisë së zonjës Le Pen "Bashkimi Kombëtar" dhe koalicionit të zotit Melenchon, të përbërë nga partia e tij e së majtës së ashpër "Franca e papërkulur", Partia Socialiste, Partia e Blertë dhe Partia Komuniste. Kjo do t'ia vështirësojë zotit Macron zbatimin e axhendës së tij për të cilën sapo u rizgjodh në muajin maj, ku përfshihet ulje taksash dhe rritje e moshës së pensionit në Francë, nga 62 në 65 vjeç.

Gjatë numërimit të votave të dielën, pranë Strasburgut, Francë (19 qershor 2022)
Gjatë numërimit të votave të dielën, pranë Strasburgut, Francë (19 qershor 2022)

“Macron është president i pakicës tani. (...) Plani i tij i reformës së pensionit është varrosur”, deklaroi zonja Le Pen të hënën në Hénin-Beaumont, bastioni i saj në Francën veriore, ku ajo u rizgjodh për një mandat tjetër pesë-vjeçar në parlament. “Është një fitore historike (...) një ngjarje sizmike”, shtoi ajo.

Ajo u tha gazetarëve se: “Po hyjmë në parlament si një grup shumë i fortë dhe si i tillë do të kërkojmë çdo post që na takon”. Si partia më e madhe e vetme në parlament – zoti Macron dhe zoti Melenchon kryesojnë koalicione – ajo tha se Bashkimi Kombëtar do të kërkojë të kryesojë komisionin e fuqishëm të financave të parlamentit, një nga tetë komisionet që mbikqyrin buxhetin e shtetit.

Partia e ekstremit të djathtë të zonjës Le Pen tani ka një numër të mjaftueshëm ligjvënësish për të krijuar një grup zyrtar në Asamblenë Kombëtare dhe për të kërkuar vende në komisione të tjera, përfshirë komisionet hetimore parlamentare dhe ato që mbulojnë mbrojtjen dhe politikën e jashtme.

Për më tepër, partia Bashkimi Kombëtar tani ka mjaftueshëm vende - më shumë se 58 - për të paraqitur një mocion kundër qeverisë që mund të çojë në një votë mosbesimi.

Kryeministrja Elisabeth Borne sugjeroi të dielën në mbrëmje se aleanca e zotit Macron do të kërkojë të gjejë "kompromise të mira" me ligjvënës nga forca të ndryshme politike.

Elisabeth Borne
Elisabeth Borne

Vetë zoti Macron nuk ka komentuar ende rezultatet e zgjedhjeve.

Qeveria e tij do të ketë ende aftësinë për të qeverisur, por vetëm duke bërë negociata me ligjvënësit. Përfaqësuesit e qendrës mund të përpiqen të negociojnë rast pas rasti me ligjvënësit nga qendra e majtë dhe nga partia konservatore - me qëllimin për të parandaluar që ligjvënësit e opozitës të kenë mjaftueshëm vota për të hedhur poshtë masat e propozuara.

Qeveria gjithashtu mund të përdorte herë pas here një masë të veçantë të parashikuar nga kushtetuta franceze për të miratuar një ligj pa votim.

Një situatë e ngjashme ndodhi në vitin 1988 nën ish-Presidentin socialist Francois Mitterrand, të cilit më pas iu desh të kërkonte mbështetje nga komunistët ose ligjvënësit e qendrës për të miratuar ligje.

Zgjedhjet e fundit parlamentare u përcaktuan përsëri kryesisht nga apatia e votuesve – me mbi gjysmën e elektoratit që qëndroi në shtëpi.

XS
SM
MD
LG