Lidhje

Meta kthen në Kuvend marrëveshjen për Butrintin


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ktheu sot për rishqyrtim në Kuvend si jotransparente dhe të pakonsultuar me ekspertët dhe publikun marrëveshjen midis qeverisë dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.

Kuvendi miratoi një muaj më parë këtë marrëveshje, si një hap me rëndësi për mirëmenaxhimin bashkëkohor të Parkut Kombëtar të Butrintit.

Presidenti Meta rikthen në Kuvend ligjin për menaxhimin e Butrintit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:04 0:00

Opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Butrintit e kundërshtuan marrëveshjen, e cila, sipas tyre, do të sjellë dëmtime në një zonë me rëndësi të madhe kulturore.

Në një mori argumentesh drejtuar Kuvendit mbi kthimin për rishqyrtim, presidenti Meta thekson se marrëveshja e qeverisë me Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit cënon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe interesin publik, se derisa autoritetet nuk kanë siguruar mendimet e ekspertëve të pavarur vendas.

Dokumenti gati 40 faqe i presidentit Meta drejtuar Kuvendit përmban një seri shpjegimesh, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e zonave arkeologjike me rëndësi të madhe historike dhe mjedisore.

Zoti Meta theksoi se ka munguar një konsultim gjithëpërfshirës nga fillimi i procesit, i cili mund të kishte shmangur shumë prej çështjeve që sot shihen me dyshim nga opinioni publik, për shkak të mungesës së transparencës maksimale mbi mënyrën e administrimit të Parkut të Butrintit.

Komiteti i Trashëgimisë Botërore e përfshiu qytetin antik në listën e pasurive botërore të UNESCO-s nga viti 1992 dhe për këto vlera të rralla shteti ka detyrimin t’i mbrojë dhe t’i menaxhojë me kujdes të posacëm.

Presidenti Meta theksoi se marrëveshja bie ndesh me parashikimet dhe detyrimet e Konventës së Trashëgimisë Botërore të Parisit e vitit 1972, e njohur nga Kushtetuta e Shqipërisë.

Ai theksoi se Konventa e Parisit kërkon që shteti të jetë autoriteti dhe përgjegjes kryesor në ruajtjen dhe zhvillimin e pasurive të rralla si Parku Kombëtar i Butrintit, edhe pse mund të kërkojë fonde dhe donacione për financime për këtë qëllim.

Presidenti Meta thotë se shteti shqiptar ka kapacitetet, mundësitë dhe burimet njerëzore e financiare për të garantuar ruajtjen, mbrojtjen e vlerave kulturore të Parkut Kombëtar të Butrintit, një pasuri me vlera kaq të rëndësishme kombëtare e universale.

Por nëse sistemi i menaxhimit duhet përmirësuar, në asnjë mënyrë autoriteti rregullator dhe kapaciteti buxhetor i një shteti, nuk mund të deklarohen se nuk garantojnë dot ushtrimin e pushtetit dhe përmbushjen e detyrimeve të tij.

Qeveria ka deklaruar nga ana e saj se kjo marrëveshje është një hap me rëndësi për mirëmenaxhimin e Parkut kombëtar të Butrintit.

Ligjvënësit socialistë theksuan gjatë debateve në Kuvend një muaj më parë se marrëveshja për menaxhimin e Butrinit përmes një fondacioni të ngitur enkas erdhi si një nevojë për mënyra të reja administrimi, sepse sistemi aktual i menaxhimit nuk garanton mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave kulturore atje.

Sipas tyre, Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit do të sigurojë menaxhim të integruar të pasurisë kulturore, lehtësi në mbledhjen e fondeve dhe financimeve, si dhe zhvilim të qëndrueshëm për të gjithë Parkun Konbëtar të Butrintit.

Por veprimtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Butrintit janë dyshues se atje mund të ketë abuzime, përderisa qeveria nuk u ka marrë mendime profesionale për menaxhimin e Parkut të Butrintit, dhe sipas tyre, nuk ka zhvilluar dëgjesa publike.

Ministria e Kulturës dhe AADF themeluan së fundi Fondacionin për Menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje. Marrëveshja mes tyre parashikon mbrojtjen, konservimin dhe ruajtjen e parkut, si dhe invesitimin edhe 5 milionë dollar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit.

Zyrtarët pohojnë se cdo fitim i Butrintit do të mbetet në Butrint, dhe se atje nuk do të ndërtohen objekte tregtare.

XS
SM
MD
LG