Lidhje

Integrimi euro-atlantik i Ballkanit perëndimor dhe roli i shoqërisë civile


Shoqëria civile në Tiranë, Shkup dhe Prishtinë është përfshirë në projektin Smart Balkans për të mbështetur Integrimin Euro-Atlantik të Ballkanit Perëndimor.

Ekspertë të pavarur theksojnë se krimi i organizuar dhe lajmet e rreme po cënojnë sigurinë e rajonit, ndaj procesi i integrimit mund të përshpejtohet nga ndihmesa më e madhe e organizatave të shoqërisë civile.

Integrimi euro-atlantik i Ballkanit dhe roli i shoqërisë civile
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:34 0:00

Studiuesit e ftuar në konferencën e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim theksuan se situata në Ballkanin Perëndimor është problematike sa i takon kriminalitetit dhe sigurisë, edhe pse rajoni është përfshirë në procesin e integrimit me Bashkimin Europian.

Eksperti i lartë për çështje të sigurisë dhe drejtësisë, fabian Zhilla, tha se sfidat e ndryshimit të situatës në Ballkan janë të vështira, sepse krimi i organizuar është fuqizuar jashtë mase dhe reagimi kundër tij mund të nisë nga mbështetja e të rinjve.

“Krimi i organizuar në rajonin e Ballkanit perëndimor është jashtëzakonisht i fuqishëm. Ai është sofistikuar dhe ka prekur segmentet më të rëndësishme të shoqërisë, duke filluar me të rinjtë, me biznesin, me median, me politikën. Sipas studiuesve të krimit të organizuar, ne sot jemi në epokën e katërt të zhvillimit të krimit të organizuar, i cili është krimi kibernetik. Po e shohim se si krimi i organizuar po e kriminalizon rininë, të ardhmen e shoqërisë dhe nga kjo duhet nisur” - tha zoti Zhilla.

Drejtuesja ekzekutive e Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, Alba Çela, thotë se në Ballkanin perëndimor nuk ka përfunduar ende procesi i vendosjes së paqes dhe qëndrueshmërisë pas përfundimit të disa konflikteve të armatosura.

Një sfidë e re, sipas saj, janë lajmet e rreme që cënojnë sigurinë dhe paqen e rajonit.

“Disinformacioni, lajmet e rreme, deep fakes; gjithë këtë arsenal i madh i luftës kundër të vërtetës po e përballim çdo ditë në mediat tradicionale, në media online kudo që komunikojmë dhe dëgjojmë. Është vërtet serioz niveli i misinformacionit dhe disinformacionit në rajonin tonë dhe targeton direkt ose indirekt paqen dhe sigurinë si dhe harmoninë midis grupimeve të ndryshme” - thotë zonja Çela.

Kryetarja e Këshillit të Integrimit Europian në Kuvend, deputetja e opozitës, Jorida Tabaku, thotë se Shqipëria ende nuk ka një datë për çeljen e negociatave me BE për anëtarësim të plotë, por edhe sikur kjo datë të jepet tani brenda qershorit, Tiranës do t’i duhen disa muaj të ngrejë strukturat negociuese, dhe deri jashtë tryezës së punës kanë mbetur shumë ekspertë dhe energji profesionale.

“Nuk ka një platformë ku shoqëria civile, e organizuar nga qeveria e Shqipërisë, të jetë pjesë në proces dhe të gjithë përpjekjet të kanalizohen sipas kapitujve. Sot kemi vetëm një mbivendosje të përgjegjësive të kryenegociatorit dhe të ministrisë së jashtme” - tha zonja Tabaku.

Drejtuesi i Lëvizjes Europiane të Shqipërisë, Gledis Gjipali, theksoi se shoqëria civile duhet të bëhet vet më aktive tani që metodologjia e re e BE-së kërkon ndihmesën e saj. Krahas shtimit të kapaciteteve profesionale, përmes Kuvendit është e rëndësishme, thotë ai, ngritja e urave të komunikimit, përkundër politizimit të çështjes.

“Politizimi, bipolitizimi është një problem që ne hasim, por është me rëndësi të investohet në urat e ndikimit mbi politikat, sepse sado ide apo përvoja të mira të kemi ne si shoqëri civile, në rast nuk gjejmë mbështetje në nivel politik, është e pamundur që ndikimi ynë të jetë përtej tryezave, ku ne diskutojmë me njëri tjetrin” - thotë zoti Gjipali.

Ekspertët besojnë se shoqëria civile, mediat, studiuesit, qarqet akademike dhe qytetarët veprimtarë kanë një rol të madh në procesin e integrimit euro-atlantik të këtyre vendeve.

Instituti për Demokraci e Ndërmjetësim do të zbatojë në Shqipëri dhe Kosovë projektin katërvjeçar "SMART Balkans”, mbështetur nga Norvegjia, si një përpjekje e re për fuqizimin e shoqërisë civile dhe zhvillim të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor.

Qendra të ngjashme studimore do ta shtrijnë atë në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinë.

XS
SM
MD
LG