Londër — Qeveria britanike urdhëroi sot ekstradimin e themeluesit të kompanisë WikiLeaks, Julian Assange në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat për spiunazh, një zhvillim i rëndësishëm, por jo i fundit në betejën ligjore prej një dekade.
WikiLeaks tha se do ta kundërshtojë urdhrin dhe se ka 14 ditë për ta apeluar vendimin.
Sekretarja e Brendshme e Britanisë, Priti Patel nënshkroi urdhrin që autorizon ekstradimin e zotit Assange në ShBA, ku atë e pret përballja me akuza për publikimin në WikiLeaks të një sasie të madhe dokumentesh të klasifikuara.
Vendimi iu referua zonjës Patel pasi një gjykatë britanike vendosi në prill se zoti Assange mund të dërgohej në ShBA, ku ai do të përballet me gjyq për 17 akuza për spiunazh dhe një akuzë për keqpërdorim të kompjuterit.
Prokurorët amerikanë thonë se zoti Assange ndihmoi në mënyrë të paligjshme analisten e inteligjencës së ushtrisë amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllogramet e klasifikuara diplomatike dhe dosjet ushtarake, që më vonë u publikuan në WikiLeaks, duke rrezikuar jetë njerëzish.
Zyra e Sekretares së Brendshme tha një një deklaratë se “gjykatat e Mbretërisë së Bashuar nuk gjetën fakte se do të ishte e padrejtë, ose abuzim, procesi i ekstradimit të zotit Assange” dhe se prandaj qeveria duhej të miratonte ekstradimin.
“Ata nuk gjetën se ekstradimi do binte në kundërshtim me të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtën e tij për një gjykim të drejtë, si dhe respektimin e lirisë së shprehjes dhe se në ShBA ai do të trajtohet siç duhet, duke përfshirë edhe shëndetin e tij”, thuhet në komunikatë.
Mbështetësit dhe avokatët e 50 vjeçarit Assange, argumentojnë se ai po vepronte në cilësinë e gazetarit dhe se Amendamenti i Parë për lirinë e shprehjes e lejon publikimin e dokumenteve që ekspozonin keqbërjet e ushtrisë amerikane në Irak dhe Afganistan. Ata argumentojnë se rasti kundër tij është i motivuar politikisht dhe se ai nuk mund të ketë një gjykim të drejtë në ShBA.
“Sot nuk është fundi, por vetëm fillimi i një beteje të re ligjore”, tha gruaja e zotit Assange, Stella. Ajo shtoi se vendimi i Mbretërisë së Bashkuar shënon “një ditë të zezë për lirinë e shtypit dhe demokracinë britanike”.
“Juliani nuk bëri asnjë të keqe”, tha ajo. “Ai nuk ka bërë asnjë krim dhe nuk është kriminel. Ai është gazetar dhe botues dhe po dënohet për punën e tij”.
Një gjykatës britanik miratoi ekstradimin në prill, duke e lënë vendimin përfundimtar në duar të qeverisë. Vendimi erdhi pas një beteje ligjore që arriti deri tek Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar.
Fillimisht, një gjykatëse refuzoi kërkesën për ekstradimin me arsyetimin se Julian Assange mund të kryente vetëvrasje nëse mbahej në kushte të rënda burgu në ShBA.
Më vonë, autoritetet amerikane dhanë garanci se themeluesi i WikiLeaks nuk do të përballej me trajtim të ashpër, që siç thonë avokatët e tij do ta rrezikonin shëndetin fizik dhe mendor të zotit Assange. Këto garanci bënë që Gjyakta e Lartë të rrëzonte vendimin e shkallës më të ulët.
Organizatat e gazetarisë dhe grupet e të drejtave të njeriut i kanë bërë thirrje Britanisë që të refuzojë kërkesën për ekstradim. Avokatët e zotit Assange thonë se ai mund të përballet me 175 vite burg nëse dënohet në ShBA, megjithëse autoritetet amerikane kanë thënë se dënimi mund të jetë shumë më i ulët se aq.
Sekretarja e Përgjithshme e organizatës “Amnesty International”, Agnes Callamard tha të premten, se ekstradimi i zotit Assange “do ta vinte atë në rrezik të madh dhe do të dërgonte një mesazh të frikshëm për gazetarët në mbarë botën”.
“Nëse ekstradimi miratohet, Amnesty International është jashtëzakonsiht e shqetësuar se zoti Assange do të përballet me rrezik të lartë të izolimit të zgjatur, që do të përbënte shkelje të masës që ndalon torturën ose forma tjera keqtrajtimi”, tha ajo. “Garancitë diplomatike të ofruara nga ShBA se Assange nuk do të mbahet në izolim nuk mund të merren si të mirëqena duke marrë parasysh historinë e mëparshme”.
Julian Assange është mbajtur në burgun e sigurisë së lartë “Belmarsh” në Londër që nga viti 2019, kur ai u arrestua për shkelje të lirimit me kusht gjatë një beteje tjetër ligjore. Para kësaj, ai kaloi shtatë vite i strehuar në ambasadën e Ekuadorit në Londër për të shmangur ekstradimin në Suedi, ku përballet me akuzat për përdhunim dhe sulm seksual.
Suedia i pushoi hetimet për krime seksuale në nëntor 2019, sepse kishte kaluar shumë kohë.
Në mars, Assange dhe Stella Moris u martuan në një ceremoni të zhvilluar në burg. Tani ata kanë dy djem.