Lidhje

Trump trysni të vazhdueshme nënpresidentit për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve


Në ditën e tretë të seancave publike të komisionit hetimor të Kongresit mbi sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit, ligjvënësit amerikanë akuzojnë ish Presidentin Donald Trump, se për disa javë ushtroi trysni ndaj nënpresidentit Mike Pence, për të përmbysur në mënyrë të jashtëligjshme rezultatet e zgjedheve presidenciale të vitit 2020.

Trump trysni të vazhdueshme nënpresidentit për të kundështuar rezultatin e zgjedhjeve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:25 0:00

Hollësi të reja tregojnë se si më 6 janar 2021 u rrezikua jeta e Nënpresidentit Mike Pence, i cili ndodhej vetëm 12 metra larg protestuesve të dhunshëm, pasi refuzoi kërkesën e pabazë të ish-Presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.

Këshilltarët e zotit Pence treguan se si zoti Trump përhapi teorinë e rreme të avokatit konservator John Eastman, se një nënpresident mund të refuzojë, ose vonojë rezultatet e zgjedhjeve.

"Për mua nuk kishte kuptim që megjithë mbrojtjen që Kushtetuta ofron për zgjedhjen e presidentit dhe hapat që duhen ndërmarrë, pushtetin për ta zgjedhur presidentin e ardhshëm ta kishte nënpresidenti”, thotë ish avokati i Shtëpisë së Bardhë, Eric Herschmann.

Këshilltarët e zotit Pence i kishin thënë atij se ai nuk e kishte atë fuqi dhe e paralajmëruan për pasoja.

“Shpallja e Donald Trumpit si president i ardhshëm do ta kishte zhytur Amerikën në atë që unë besoj se do të ishte e barabartë me një revolucion brenda një krize kushtetuese”, tha J. Michael Luttig, ish këshilltar i Nënpresidentit Mike Pence.

Pothuajse të gjithë republikanët në Kogres e kanë quajtur hetimin e komisionit të 6 janarit si të paligjshëm, por anëtarja e komisionit Liz Cheney tha se zoti Trump e dinte se ajo që po bënte ishte gabim.

“Trumpit iu tha vazhdimisht se Mike Pence nuk e kishte autoritetin kushtetues dhe ligjor për të bërë atë që ai kërkonte”, tha ligjvënësja republikane.

Ish këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë dëshmuan se zoti Pence i refuzoi kërkesat e zotit Trump në javët para çertifikimit të rezultateve zgjedhore më 6 janar.

“Pavarësisht faktit se nënpresidenti i tha vazhdimisht presidentit se ai nuk e kishte dhe nuk mund ta kishte autoritetin për të vendosur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, Donald Trump vazhdoi trysninë mbi nënpresidentin, publikisht dhe privatisht”, tha ligjvënësi demokrat, Pete Aguilar.

Trysnia kulmoi me një postim të zotit Trump në Twitter pasditen e 6 janarit, ku kritikoi zotin Pence, një veprim që hetuesit thonë se ndezi mbështetësit e presidentit dhe i nxiti ata të sulmojnë Kongresin.

Protestuesit e dhunshëm nuk e gjetën zotin Pence, i cili këmbënguli të qëndronte në Kapitol për të çertifikuar fitoren e Joe Bidenit në zgjedhje.

"Ai nuk donte të rrezikonte që bota të shihte nënpresidentin e Shteteve të Bashkuara duke ikur nga Kapitoli amerikan. Ai ishte i vendosur të përfundonte punën që kishim për atë ditë”, tha Greg Jacob, këshilltar i nënpresidentit Pence.

Shtetet e Bashkuara ishin pranë një grusht shteti, thonë hetuesit, ndërsa një nga këshilltarët e zotit Pence bëri këtë paralajmërim për zotin Trump dhe mbështetësit e tij.

“Ata mund të përpiqen të përbysin zgjedhjet e vitit 2024 në të njëjtën mënyrë siç u përpoqën të përbysnin zgjedhjet e vitit 2020, por duke u munduar të kenë sukses në atë që dështuan më 2020”, thotë zoti Luttig.

Komisioni vazhdon punën javën që vjen me seanca dëgjimore publike, të martën dhe të enjten.

XS
SM
MD
LG