Ukraina injoroi të mërkurën një ultimatum të Moskës për të dorëzuar qytetin lindor të Sievierodonetskut. Këto zhvillime vijnë ndërsa Shtetet e Bashkuara njoftuan një ndihmë të re ushtarake për Kievin, si dhe u kërkuan aleatëve që të mos "humbasin vrullin", në mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
Sievierodonetsku, ka qenë për javë të tëra një pikë e nxehtë luftimesh që kanë rrënuar pothuajse qytetin. Të mërkurën në mëngjes, forcat ruse u kërkuan trupave ukrainase të strehuara në një fabrikë kimikatesh që të ndalin atë që e quajtën "rezistencë e pakuptimtë e të dorëzojnë armët".
Autoritetet e Ukrainës thotë se më shumë se 500 civilë, mes tyre edhe 40 fëmijë, janë strehuar brenda fabrikës Azot, krahas ushtarëve ukrainas.
Kryetari i bashkisë së Sievierodonetskut Oleksandr Stryuk, tha se forcat ruse po përpiqeshin të sulmonin qytetin nga disa drejtime, por ukrainasit po vazhdonin ta mbronin atë edhe pse të gjitha urat mbi lumenj janë shkatërruar tashmë.
"Situata është e vështirë, por e qëndrueshme", tha ai për një televizion ukrainas. "Rrugët për të shpëtuar janë të rrezikshme, por ka disa".
Zoti Stryuk nuk foli rreth ultimatumit të Rusisë.
Moska kishte thënë se do t'i lejonte civilët të evakuoheshin nga uzina të mërkurën, por separatistët e mbështetur nga Rusia thanë se sulmet me artileri nga ana e ukrainase i kishin prishur planet.
Guvernator i rajonit të Luhanskut Serhiy Gaidai, që përfshin Sievierodonetskun tha se ushtria e Ukrainës po vazhdon ta mbrojë qytetin dhe se po bën përpjekje për të mbrojtur nga forcat ruse edhe qytetin e Lysychanskut, që shtrihet në anën tjetër të lumit Siverskyi Donets.
Luhansku është një nga dy provincat lindore që Moska ka si objektiv t’i pushtojë. Së bashku Sievierodonetskun ato përbëjnë Donbasin, një rajon industrial ku Rusia ka përqendruar sulmin e saj që pas dështimit për të marrë kryeqytetin e Ukrainës, në muajin mars.