Lidhje

Biden njofton rreth 1 miliard dollarë më shumë ndihmë për Ukrainën


Presidenti Joe Biden njoftoi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë një ndihmë ushtarake shtesë prej 1 miliard dollarësh për Ukrainën, sasia më e madhe e armëve dhe pajisjeve ushtarake që dërgohet njëherësh në një ngarkesë, që nga fillimi i luftës.

Ndihma është pjesë e masave për të ndalur Rusinë në përpjekjet e saj për të pushtuar rajonin lindor të Donbasit. Moska po përparon ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshëm në këtë rajon.

Ndihma përfshin sisteme raketash kundër anijeve, armë të artilerisë së rëndë howitzer dhe më shumë municione për sistemet e raketave me lëvizshmëri së lartë, për të cilat forcat amerikane po trajnojnë tashmë trupat ukrainase. Këto armatime të reja të rënda janë ato që kanë kërkuar me urgjencë udhëheqësit e Ukrainës.

Presidenti Biden tha gjithashtu se SHBA-të do të dërgojë edhe 225 milionë dollarë më shumë në ndihma humanitare, çka do të siguronte ujë të pijshëm, ilaçe, ushqime, kujdes shëndetësor, strehim dhe para për familjet ukrainase, për të blerë sende thelbësore.

Nëpërmjet një deklarate Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur “banorët e Ukrainës, jetët e të cilëve janë shkatërruar nga lufta".

Me herët gjatë ditës së sotme, në një takim në Bruksel me pjesmarrjen e një numri të madh ministrash të mbrojtjes, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se sulmi i Rusisë në Ukrainë ndodhet në një pikë kritike ndaj Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nuk duhet ta humbasin përqëndrimin në konfliktin e gjatë tre mujor.

Takimi, krahas ministerialit të Mbrojtjes të NATO-s, u përqendrua tek furnizimet me armë për Ukrainën. Kjo është hera e tretë, që grupi me pjesëmarrjen e afro 50 vendeve, takohet për të diskutuar dhe koordinuar ndihmën për Kievin. Takimi i mëparshëm, ishte zhvilluar në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, në muajin prill.

Të hënën këshilltari i presidentit të Ukrainës Mykhailo Podolyak tha se Kievi ka nevojë për 1,000 armë artilerie të rëndë (howitzers), 500 tanke dhe 1,000 dronë, krahas armatimeve të tjera të rënda.

"Nuk e kemi luksin të ulim ritmin. Rreziqet janë shumë të mëdha", tha zoti Austin në fillim të takimit në Bruksel.

Ne duhet të intensifikojmë angazhimin tonë të përbashkët për vetëmbrojtjen e Ukrainës dhe duhet ta nxisim veten edhe më shumë për t’u siguruar që Ukraina të mund ta mbrojë veten, qytetarët dhe territorin e saj”, shtoi zoti Austin.

Para fillimit të takimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se aleatët do të vazhdojnë ta furnizojnë Ukrainën me artileri të rëndë dhe sisteme raketash me rreze të gjatë veprimi dhe se ai pret që ata të bien dakord për një paketë të re ndihmash për Kievin, gjatë takimit të NATO-s që mbahet po këtë muaj.

"Ndonjëherë këto përpjekje kërkojnë kohë. Kjo është pikërisht arsyeja se pse është e rëndësishme që të kemi një takim si ky i sotmi. Për t'u takuar me përfaqësuesit e Ukrainës, për të identifikuar sfidat dhe çështjet që ata do të donin të ngrinin me ne", tha zoti Stoltenberg.

XS
SM
MD
LG