Lidhje

Udhëtimi i presidentit Biden në Lindjen e Mesme dhe Arabinë Saudite


Biden
Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden planifikon të shkojë në Lindjen e Mesme në korrik për herë të parë që kur mori detyrën, me vizita në Izrael, Bregun Perëndimor dhe Arabinë Saudite. Do të jetë hera e parë që një president amerikan shkon drejtpërdrejt nga Izraeli në një shtet arab që nuk e njeh atë vend. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara njofton.

Pas takimit me udhëheqësit e hemisferës perëndimore, presidenti Joe Biden po përgatitet për dy udhëtime jashtë vendit muajin e ardhshëm.

Takimet e G-7ës në Gjermani dhe NATO-s në Spanjë në fund të qershorit, do të pasohen nga një vizitë në mes të korrikut në Izrael, Bregun Perëndimor dhe Arabinë Saudite, ku presidenti do të marrë pjesë në një samit të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.

((President Joe Biden))

“Kjo është arsyeja që po shkoj. Dhe ka të bëjë me sigurinë kombëtare për izraelitët. Unë gjithsesi kam një program. Ka të bëjë me çështje shumë më të mëdha sesa me energjinë”, tha presidenti Biden.

Marrëdhëniet amerikano-saudite ishin veçanërisht të mira gjatë administratës Trump, por janë ftohur nën administratën Biden, i cili e quajti mbretërinë një shtet "të padëshirueshëm" ndërsa kandidonte për president.

Marrëdhëniet u tensionuan më tej pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi në vitin 2018, për të cilën zbulimi amerikan arriti në përfundimin se ishte miratuar nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman.

Por me rritjen e çmimit të karburantit që ka nxitur inflacionin, presidenti Biden ka zgjedhur të angazhojë sauditët, të cilët luajnë një rol të jashtëzakonshëm në tregjet globale të energjisë – në Lindjen e Mesme e më gjerë.

((Jon Alterman, CSIS)) ((Zoom))

“Vizita është pjesërisht për Jemenin. Dhe pjesërisht për Iranin. Pjesërisht për normalizimin e marrëdhënieve të vendeve arabe me Izraelin. Dhe pjesërisht për prodhimin e energjisë. Bëhet fjalë pjesërisht për energjinë e gjelbër, tranzicionin energjetik dhe rolin e sauditëve në këtë proces. Vizita ka të bëjë pjesërisht me zhvillimin ekonomik, partneritetet ekonomike dhe pjesërisht me rritjen e rolit të grave në Arabinë Saudite”, thotë Jon Alterman me Qëndrën për Studime Strategjike Ndërkombëtare.

Presidenti Biden do të fluturojë drejtpërdrejt nga Izraeli, aleati më i afërt i Amerikës në Lindjen e Mesme, në Xheda të Arabisë Saudite – i pari udhëtim i drejtpërdrejtë për një president amerikan, pas fluturimit historik të zotit Trump në vitin 2017 nga Riadi në Tel Aviv. Izraeli nuk ka lidhje zyrtare me Arabinë Saudite.

Uashingtoni ka qenë i angazhuar në diplomaci modeste për të zgjeruar Marrëveshjet e Abrahamit, arritur nën administratën Trump, që shtetet arabe të normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin.

((Brian Katulis, Middle East Institute)) ((Skype))

"Do të ulja pritshmëritë se do të arrihet përparim i madh në këtë pikë, pasi ajo që dëgjoj nga sauditët është se kanë disa rezerva të thella për mungesën e përparimit në frontin palestinez, si dhe paqëndrueshmërinë e vazhdueshme në vende si Jeruzalemi", thotë Brian Katulis me Institutin për Lindjen e Mesme.

Për sauditët, normalizimi me Izraelin do të kërkonte përparim të madh në bisedimet e paqes izraelito-palestineze. Por në kushtet e mungesës së përparimit dhe përleshjeve të vazhdueshme, përfshirë tensionet e fundit pas pretendimeve se forcat izraelite vranë një gazetare palestinezo-amerikane, perspektivat e paqes mbeten të zbehta.

XS
SM
MD
LG