Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian, bëri thirrje të martën që marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të "mbështetet në njohjen e ndërsjellë" dhe Serbia t'u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
Thirrjet janë pjesë e raporteve të këtij komisioni për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën, që më pas do të debatohen në Parlamentin Evropian.
Komisioni tha se mbështet bisedimet Kosovë - Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe "rithekson rëndësinë e angazhimit konstruktiv nga ana e autoriteteve të Serbisë dhe Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme të normalizimit, të mbështetur në njohjen e ndërsjellë, që është thelbësore për të dyja vendet". Komisioni bëri thirrje që të gjitha marrëveshjet e kaluara të respektohen dhe të zbatohen plotësisht në mirëbesim dhe në kohën e duhur, duke përfshirë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Është kjo hera e parë që një komision i këtij parlamenti përmend njohjen e ndërsjellë. Thirrja u bë vetëm pak ditë pasi një gjë të tillë e kërkoi edhe kancelari gjerman, Olaf Sholz gjatë një vizitë në Prishtinë dhe në Beograd, duke nxitur reagimin e zemëruar të Serbisë e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës.
Komisioni bëri thirrje Serbisë që të harmonizojë qëndrimin e saj ndaj Rusisë me politikat Bashkimit Evropian si veprim "përcaktues i përparimit të përgjithshëm të Serbisë në procesin e anëtarësimit".
Serbia është vendi i vetëm në rajon që nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.
Të hënën ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se Serbia duhet të vendos nëse "pozicioni neutral" është i qëndrueshëm. Ambasadori amerikan u tha gazetarëve në Beograd se ajo që po ndodhë në Ukrainë “është sulm brutal...dhe vazhdimi i vrasjes së civilëve, është krejtësisht i papranueshëm në këtë shekull". Një zhvillim i tillë, tha ai, nuk është parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
“Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se bota ka ndryshuar që nga muaji shkurt dhe ne të gjithë duhet të mendojmë sërish se ku jemi, cili është pozicioni ynë dhe ku duam të jemi në të ardhmen”, tha ambasadori amerikan.
Muajin e kaluar, ambasadori Hill, tha në një intervistë me shërbimin serb të Zërit të Amerikës, se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian presin që Serbia t'u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, por është Beogradi ai që duhet të vendosë dhe nuk ka trysni mbi të për këtë çështje. Ambasadori Hill tha se Serbia “duhet të mendojë sërish”, nëse beson se Rusia do ta ndihmojë rreth çështjes së Kosovës.
Schallenberg: Bisedimet Kosovë - Serbi të përmbyllen me njohje
Ministri i jashtëm austriak, Aleksander Schallenberg, tha të martën se procesi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë natyrshëm duhet të përfundojë me normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe njohje të ndërsjellë.
Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në Prishtinë, ku u takua me udhëheqës të institucioneve të Kosovës.
“Ne natyrisht kemi biseduar edhe për procesin e bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Këtu ka elemente të ndryshme... Mirëpo, është e natyrshme që në fund duhet të kemi normalizimin e plotë edhe njohjen që nuk vihet fare në dyshim fare”, tha ai.
Ministri Schallenberg tha se Bashkimi Evropian duhet të veprojë shpejt në ofrimin e ardhmërisë evropiane për rajonin pas sulmit rus kundër Ukrainës.
“Ne duhet ta kemi parasysh që Moska e ka mundësinë që të nxis destabilizim të rajonit dhe me vetëm një hap rusët mund të krijojnë shqetësime, mund të destabilizojnë rajonin dhe kjo për neve ngre kambanat e alarmit. Mendoj që sulmi i Rusisë në Ukrainë është me të vërtetë një thirrje për të zgjuar Bashkimin Evropian për të trajtuar synimin e anëtarësimit në BE dhe kjo nuk ka qenë asnjëherë më e rëndësishme se sa është tani”, tha ministri Schallenberg sipas një përkthimi të ministrisë së Jashtme të Kosovës.
Ai tha se zgjerimi i BE-së është i rëndësishëm si një instrument gjeo-strategjik që eksporton qëndrueshmëri dhe siguri. Ai foli edhe për një dokument të hartuar nga Austria për jetësimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, që sipas tij ka për synim përshpejtimin e këtij procesi.
“Nuk ka zbrazësi, ose ja dalim që vlerat tona evropiane t’i eksportojmë ose dikur, posaçërisht në Evropën Juglindore, do të konfrontohemi me modele tjera të jetesës. Ky nuk është qëllimi ynë, sepse kjo gjë do të bëhej e rrezikshme”, tha ministri austriak.
Vuçiç: Na pret trysnia për Kosovën dhe sanksionet kundër Rusisë
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha të martën se pret kritika të ashpra ndaj Serbisë në lidhje me Kosovën dhe "masat kufizuese" ndaj Rusisë.
Duke komentuar thirrjet e Komisionit të Parlamentit Evropian ai tha se në "kuadrin e bisedimeve me BE-në", zyrtarisht kërkohet "normalizimi i plotë i marrëdhënieve " ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por askund nuk përmendet "njohja e ndërsjellë".
“Sa i përket çështjes së shtetësisë dhe tërësisë tokësore, ne e respektojmë të drejtën ndërkombëtare, së cilës i referohet e gjithë bota. Ne vetëm përsërisim atë që perëndimi vazhdimisht e thotë kur bën thirrje për respektimin e tërësisë tokësore të Ukrainës”, tha presidenti serb.
Agresioni rus në Ukrainë ka bërë që të shtohet diskutimet për nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Evropian është vënë në përpjekje për të siguruar rajonin për ardhmërinë evropiane.
Në këtë kuadër sonte dhe nesër në në Kosovë do të qëndrojë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Kosova dhe Serbia aspirojnë integrimet por kusht është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre. Javën e kaluar kancelari gjerman tha se është e papërfytyrueshme që të integrohen vendet që nuk e njohin njeri tjetrin.