Lidhje

SHBA-ja dhe BE-ja i kërkojnë Shqipërisë të luftojë korrupsionin


SHBA dhe BE nxitën sërish sot autoritetet shqiptare të luftojnë korrupsionin me masa më energjike, ndërkohë që vendi po përgatitet të përparojë në procesin e integrimit europian.

Përfaqësues të Uashingtonit dhe Brukselit i bënë këto komente në një konferencë kombëtare kundër korrupsionin, organizuar nga qeveria shqiptare.

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Juri Kim, theksoi se Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe në dyert e BE-së për anëtarësim, dhe se i duhet të marrë vendime të vështira për të ecur përpara, por nuk mund ta bëjë këtë, nëse korrupsioni shihet si i zakonshëm dhe i pranueshëm.

“Jeni në një çast kritik të historisë suaj, duhet të vendosni se në ç’rrugë do të shkoni, do të ecni përpara apo do të shkoni pas. Kush do ta zotërojë vendin, krimi i organizuar dhe vetëm oligarkët, apo njerëzit normal të Shqipërisë. Ne besojmë se ju do të bëni zgjedhjen e duhur, në të njëjtën mënyrë siç e keni bërë në çaste kritike” - theksoi ambasadorja Kim.

Ajo tha se korrupsioni është çështje e sigurisë kombëtare për SHBA-të, sepse ne duam që aleatët tanë, që Shqipëria të jetë e fortë, e pavarur, e pasur, një partner i plotë.

“Ne duam që Shqipëria të jetë përherë e më shumë një partner dhe jo një problem, por ky problem, nuk zgjidhet pa ju, dhe këtë luftë duhet ta bëni ju. Ne do të jemi me ju në çdo hap kësaj rruge” - tha ambasadorja Kim.

Ajo theksoi se 3 dekada më parë Shqipëria fitoi lirinë nga diktatura komuniste dhe korrupsioni i atij regjimi, ndërsa sot është koha që në formë të përhershme ligji të bëhet i zbatueshëm në mënyrë të barabartë për të gjithë.

“Ky vend ka energji të madhe për të arritur shumë më tepër, por e bllokon korrupsioni. Kësaj duhet t’i jepet fund. SHBA dhe Shqipëria duhet të bashkojnë forcat në këtë çast historik për të thënë mjaft më me korrupsionin, se duhet të mbrojmë demokracinë” - tha ambasadorja Kim.

Ndërsa zyrtarja e Komisionit Europian, Michela Matuella, në fjalën e saj në një lidhje virtuale në konferencën kundër korrupsionit se Shqipëria është gati për çeljen e negociatave për anëtarësim, por kjo nuk do të thotë që problemet nuk ekzistojnë më.

“Shqipëria duhet të konsolidojë rezultatet dhe të përshpejtojë më tej punën e saj. Reformat nuk duhet të reshtin, por të përshpejtohen. Gjithçka do të bëhet më e shpejtë kur të nisin negociatat” - tha zonja Matuella.

Ajo theksoi se është bërë shumë punë me reformën në drejtësi për të vendosur Shqipërinë në hartën e vendeve, që janë gati të ndërmarrin reforma kurajoze për një sistem të mirë ligjor dhe institucione të shëndetshme.

“Reforma në drejtësi është historike, sepse nisur një ndryshim thelbësor, e kjo do të thotë që askush nuk mund të gëzojë më mosndëshkimin. Kjo është një vlerë e rëndësishme e BE-së dhe ne jemi partnerë të fuqishëm të Shqipërisë” - tha zonja Matuella.

Ajo shtoi se priten rezultate sistematike në ndjekjen penale të vazhdueshme ndaj sjelljeve kriminale që kanë nxjerrë në hap organet e vettingut, dhe se kjo përpjekje paralele po sjell më shumë integritet në institucionet shqiptare.

“Ne do të mbështesim punën e organeve të vettingut nga sulmet dhe nga frikësimet, që vijnë prej atyre personave që nuk i dëshirojnë që do të vazhdojë të japë reforma në drejtësi” - tha zonja Matuella.

Zyrtarja e Komisionit Europian tha se ende ka sfida dhe shumë punë për t’u bërë me sekuestrimin e aseteve kriminale dhe me ndjekjen penale të dyshuarve nga SPAK, ndërsa vlerësoi operacionet e përbashkëta me shtetet anëtare të BE-së.

XS
SM
MD
LG