Forcat ruse kanë shkatërruar urën e fundit për në qytetin lindor të vijës së frontit Sievierodonetsk në Ukrainë, duke bllokuar civilët që mund të kenë mbetur dhe duke e bërë të pamundur dërgimin e furnizimeve humanitare, tha të hënën guvernatori i rajonit.
Guvernatori Serhiy Gaidai tha se gjithsesi ka mbetur një qasje e kufizuar ushtarake në qytetin e shkatërruar që është kthyer në një fushë beteje kyçe për Ukrainën, ndërsa vendi përpiqet të frenojë përparimin e Rusisë në qendër të Donbasit industrial.
"Tani është plotësisht e pamundur për fat të keq të futesh në qytet, të dërgosh diçka në qytet. Evakuimi është i pamundur," tha zoti Gaidai.
Ai shkruante në aplikacionin Telegram se Rusia nuk kishte marrë kontrollin e plotë të qytetit dhe se "një pjesë" e tij mbetet nën kontrollin e Ukrainës, por se nuk ishte më e mundur të transportoheshin ngarkesa humanitare.
Zoti Gaidai i tha gjithashtu shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë/Radio Liria se megjithëse 70% e qytetit tani kontrollohej nga Rusia, situata për trupat ukrainase ishte "e vështirë, por nën kontroll".
"Ata kanë aftësinë të dërgojnë të plagosurit në spitale, kështu që ka ende qasje," tha guvernatori Gaidai.
"Është e vështirë të dërgosh armë ose rezerva. E vështirë, por jo e pamundur," shtoi ai.
Sievierodonetsku prej javësh është bërë skenë e betejave të ashpra. Zyrtarët ukrainas thonë se në qytet ka mbetur pak më shumë se një e dhjeta e 100 mijë banorëve që ishin atje para katër muajsh.
Zoti Gaidai tha se kushtet për mijëra civilë të mbetur në qytet ishin "shumë të vështira", pasi tre muaj luftime kishin shkatërruar infrastrukturën e gazit, energjisë elektrike dhe ujit dhe se kishte ndërprerje "të mëdha" në furnizimet me ilaçe.