Lidhje

McCaul: SHBA të japë gjithë mbështetjen e duhur që Ukraina të zmbrapsë forcat ruse


Kreu i republikanëve në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme Michael McCaul thotë se Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin Ukrainës gjithë ndihmën e duhur ushtarake që ajo të mund të zmbrapsë Rusinë. Ligjvënësi McCaul në një intervistë për Shërbimin Gjeorgjian të Zërit të Amerikës thotë se lufta është në një moment kritik. Ai shton se krimet e luftës e kanë bërë të vështirë të negociohet me Vladimir Putinin, por se në fund të fundit kjo varet nga Kievi dhe presidenti Volodymyr Zelenskiy. Zoti McCaul flet gjithashtu për ndikimin rus në Ballkan.

McCaul: SHBA të japë gjithë mbështetjen e duhur që Ukraina të zmbrapsë forcat ruse
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:45 0:00

Zoti McCaul ka qenë disa herë në rajon dhe thotë se Ukraina duhet ndihmuar me të gjitha mënyrat e mundshme.

“Ne duhet t'u japim atyre gjithçka mundemi, gjithçka që u nevojitet për të luftuar këtë luftë. Tani është moment kritik sepse rusët po fitojnë terren dhe ne duhet t'u japim atyre artileri me rreze më të gjatë veprimi që jo vetëm të kenë të njëjtën aftësi, por t’ua kalojnë rusëve”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Ai shton se megjithëse janë dërguar armë në Ukrainë, ai është dakord me presidentin Zelenskiy se duhet bërë më shumë. Ligjvënësi McCaul thotë se me ndryshimin e objektivit të luftës pasi nuk mori nën kontroll Kievin, Moska synon bllokimin e daljes në Det të Zi për Ukrainën.

“Prandaj ne duhet të sigurohemi që ata të mos e marrin Odesën, një nga portet kryesore. Unë sapo u ktheva nga Moldavia dhe moldavët janë shumë të shqetësuar se nëse rusët marrin Odesën, ata mund të hyjnë në Moldavi, që nuk është vend i NATO-s”, tha ai.

Zoti McCaul thotë se do që ukrainasit të fitojnë sa më shpejt, ose të paktën të jenë në gjendje t'i largojnë forcat ruse, pasi përndryshe, do të ketë një konflikt të gjatë.

“Unë mendoj se duhet të jetë politika e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s që të sigurohen që Ukraina të mund të ruajë sovranitetin e saj dhe t'i zmbrapsë rusët drejt kufijve”.

Duke u përgjigjur për qëndrimet e aleatëve ndaj negociatave, përfshirë Francën që është shprehur të mos “poshtërohet” Valdimir Putini, ligjvënësi republikan me peshë thotë se për shkak të krimeve të luftës, është bërë e vështirë të bëhen negociata.

“Është e vështirë ta kthesh kohën prapa. A mund të uleshe në një tryezë me Hitlerin dhe të negocioje duke i dhënë Çekosllovakinë dhe Poloninë në këmbim të paqes? Mendoj se Putini e ka tejkaluar aq shumë me krimet e tij të luftës, sa që e bën shumë të vështirë negociimin. Por në fund të fundit varet nga populli ukrainas dhe presidenti Zelenskiy se çfarë dhe nëse duan të negociojnë”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Zoti McCaul shton se po ashtu i takon Ukrainës që të vendosë nëse do të pranojë të ketë një pozicion neutraliteti në këmbim të një marrëveshjeje të mundshme paqeje.

Lidhur me perspektivën e anëtarësimit në NATO, ai thotë se është gjithmonë për zgjerimin e aleancës.

“Unë mendoj se Ukraina e ka merituar anëtarësimin në NATO dhe unë do të isha në favor të këtij anëtarësimi. E di se në të kaluarën ka pasur rezerva se kjo do të na fuste në luftë. Dhe ka qenë shqetësimi i problemeve me korrupsionin dhe faktin që presidentët e mëparshëm mund të kenë qenë nën ndikimin e Rusisë. Unë nuk mendoj se e kemi atë shqetësim me Zelenskiyn”, thotë ai.

Zoti McCaul shpreh shqetësimin për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, përfshirë përmes disinformimit dhe se për fat të keq Kina është bashkuar në këtë fushatë.

“Ai po gënjen njerëzit në Ballkan po gënjen njerëzit në Ukrainë po gënjen vetë trupat e tij, se cili është misioni i tyre pse janë në Ukrainë në radhë të parë? E gjitha bazohet në një gënjeshtër dhe mendoj se njerëzit në ato vende duhet ta dinë këtë”, thotë ai.

“Nuk është në interesin më të mirë të Ballkanit të jetë nën gishtin e Putinit, një diktatori, dikush që është plotësisht kundër lirisë dhe demokracisë për popullin e tij”, thotë zoti McCaul.

XS
SM
MD
LG