DETROIT (AP) – Fituesja e medaljes së artë olimpike Simone Biles dhe dhjetëra ish-gjimnaste të tjera, që thonë se u sulmuan seksualisht nga Larry Nassar po kërkojnë më shumë se 1 miliard dollarë dëmshpërblim nga FBI-ja pasi kjo e fundit nuk arriti të ndalojë mjekun sportiv të kryente këto abuzime.
Nuk ka asnjë dyshim që agjentët e FBI-së në vitin 2015 e dinin se Larry Nassar akuzohej për abuzime seksuale ndaj gjimnasteve. Por agjentët nuk arritën të vepronin, duke e lënë Nassarin të lirë të vazhdonte me abuzimet ndaj grave dhe vajzave të reja për më shumë se një vit.
Kërkesat për dëmshpërblim, të paraqitura të mërkurën, mund të pasohen me padi individuale, në varësi të përgjigjes nga FBI-ja. Pretendueset përfshijnë Simone Biles, Aly Raisman dhe McKayla Maroney, të gjithë fituese të medaljeve së arta olimpike. Në komentet në Kongres vitin e kaluar, drejtori i FBI-së Christopher Wray pranoi gabime të mëdha të bëra nga agjencia.
Larry Nassar u shpall fajtor në vitin 2017 dhe po vuan dekada në burg.
"Ka ardhur koha që FBI-ja të mbahet përgjegjëse," tha Maggie Nichols, kampionia kombëtare e gjimnastikës në vitet 2017-19 nga Oklahoma.
Sipas ligjit federal, një agjenci qeveritare ka gjashtë muaj për t'iu përgjigjur kërkesave për dëmshpërblim.
“Nëse FBI-ja thjesht do të kishte bërë punën e saj, Nassar do të ishte ndaluar pa patur mundësi të abuzonte me qindra vajza, përfshirë mua”, tha ish-gjimnastja e Universitetit të Miçiganit, Samantha Roy.
Shoqata amerikane e Gjimnastikës, me bazë në Indianapolis, u tha agjentëve lokalë në vitin 2015 se tre gjimnaste ishin ankuar për abuzime nga Larry Nassar, që ishte mjeku i ekipit. Por sipas inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë, FBI-ja nuk hapi një hetim zyrtar, ose nuk informoi autoritetet federale, ose shtetërore në Miçigan.
Agjentët e Los Anxhelosit në vitin 2016 filluan një hetim kundër Nassarit për turizëm seksual dhe intervistuan disa viktima, por gjithashtu nuk i njoftuan autoritetet e Miçiganit, tha inspektori i përgjithshëm.
Larry Nassar nuk u arrestua deri në vjeshtën e vitit 2016 gjatë një hetimi nga policia e Universitetit Shtetëror të Miçiganit. Ai ishte mjek në shtetin e Miçiganit.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Miçiganit përfundimisht ngriti akuza kundër Nassarit për sulme seksuale, ndërsa prokurorët federalë në qytetin tjetër të Miçiganit, Grand Rapids, e akuzuan atë për pornografi me fëmijë.
Në komentet në Kongres vitin e kaluar, drejtori i FBI-së Christopher Wray pranoi gabimet e mëdha të bëra nga agjencia e tij.
“Më vjen veçanërisht keq që kishte njerëz në FBI që patën shansin për ta ndaluar këtë përbindësh në vitin 2015 dhe dështuan. Dhe kjo është e pafalshme,” u tha zoti Wray viktimave në një seancë dëgjimore në Senat.
Në të njëjtën seancë, Simone Biles, e konsideruar gjerësisht si gjimnastja më e mirë e të gjitha kohërave, tha se “një sistem i tërë" mundësoi abuzimin. Gjimnastja Maroney kujtoi "heshtjen si prej varri" nga FBI-ja, kur ajo foli me agjentët për Larry Nassarin.
Departamenti i Drejtësisë në maj tha se nuk do të ndiqte penalisht ish-agjentët, të cilët u akuzuan për dhënien e përgjigjeve të pasakta, ose të paplota, gjatë hetimeve të inspektorit të përgjithshëm.
Universiteti Shtetëror i Miçiganit, i cili gjithashtu u akuzua se kishte humbur shanset për shumë vite për të ndaluar Nassarin, ra dakord të paguante 500 milionë dollarë për më shumë se 300 gra dhe vajza, që u abuzuan nga ai. Federata Amerikane e Gjimnastikës dhe Komiteti Olimpik dhe Paralimpik i SHBA-së dhanë një dëmshpërblim prej 380 milionë dollarësh për viktimat e abuzimeve seksuale.