Këto ditë në Shtetet e Bashkuara janë ftuar një sërë politikanësh nga vende të ndryshme të botës në kuadër të një programi disa javor për shkëmbim përvojash dhe praktikash për zhvillimin e demokracisë. Programi këtë vit është përqendruar te vënia në jetë e angazhimeve të marra në takimin e nivelit të lartë për demokracinë mbajtur vitin e kaluar, me nismën e presidentit Joe Biden. Një nga pjesëmarrëset është Doarsa Kica, deputete e parlamentit të Kosovës dhe kryetare e komisionit parlamentar për administratë pubike, pushtet lokal, media dhe zhvillim rajonal. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zonja Kica foli për ndihmën që po ofron Kosova për gazetarë nga Ukraina, gjendjen e medias dhe procesin e vetingut.
Zëri i Amerikës: Desha t’ju pyes fillimisht për Ukrainën, Kosova ka marrë përsipër që të strehojë 20 gazetarë, ndërkohë që kanë arritur tashmë katër prej tyre. Kur pritet të vijnë të tjerët dhe në çfarë forme pritet të jetë mbështetja për ta?
Doarsa Kica: Në parim si vend kemi filluar me idenë që të krijojmë një lloj ndihme për Ukrainën e cila është më shumë e bazuar në atë se çfarë mund të bëjmë në formë konkrete dhe ideja fillestare ishte të japim një mbështetje për shtresën e cila është shumë e diskriminuar dhe në rrezik për jetën në fakt, që ishin gazetarët ukrainas. Kështu qeveria ndau 150 mijë euro për 20 gazetarë ukrainas, fillimisht për një periudhë gjashtë mujore me mundësi vazhdimi varësisht nga situata në Ukrainë. Ideja është që ata në Kosovë mos të strehohen vetëm në formë refugjatësh por të kenë të hyra mujore, vend ku mund të vazhdojnë punën e tyre për Ukrainën dhe komplet procesi i filtrit do të bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit. Pra filtrimi i gazetarëve që aplikojnë bëhet nga këto dy agjenci, pastaj ne sigurojmë transportin dhe komplet transferrin në Kosovë. Më pas është Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i cili në bashkëpunim me këto dy agjenci e rregullon këtë pjesën e mbetur të strehimit dhe çfarëdo ndihme që ka nevojë për ta. Deri tani kanë arritur katër, realisht kjo pjesa varet nga ata, ne po presim në vazhdimësi po i trajtojnë kërkesat dhe mbetet t’i presim kurdo që ata vijnë.
Zëri i Amerikës: Në Kosovë komuniteti i gazetarëve ka shprehur vazhdimisht shqetësime lidhur me gjuhën e ashpër të zyrtarëve të institucioneve dhe munngesën e transparencës. Cfarë bën komisioni juaj për ta lehtësuar këtë situatë dhe për të gjetur zgjidhje për këto shqetësime të gazetarëve?
Doarsa Kica: Unë do të fokusohem në atë që është praktikisht puna e komisionit parlamentar për media dhe në kuadër të të cilit bien në raportim Radio Televizioni i Kosovës i cili është medium pubik, dhe Komisioni i Pavarur për Media i cili merret me operatorët e shpërndarjes. Në kuptim të këtyre dyjave, në çdo raportim që bëhet sigurohemi që të flasim për politikat eventuale në mënyrë që të ngritet transparenca dhe pavarësia e gazetarëve. Në rastin e Radio Televizionit të Kosovës, kemi bërë emërimin e një bordi krejtësisht të ri në një prej proceseve më transparente që ka qenë ndonjëherë në parlamentin e Republikës së Kosovës, pavarësisht faktit që ishin mbi 20 aplikantë për anëtarë bordi dhe në fakt ky proces është shquar edhe nga organizata ndërkombëtare edhe nga organizata vendëse, që është një indikator i mirë i kësaj çështjeje. E njëjta më pas ndodhi me Komisionin e Pavarur për Media ku ishte një konkurs për dy anëtarë të rinj dhe pak a shumë ishte procesi i njëjtë po aq transparent dhe nuk ka pasur asnjë element politik apo tjetër të ndikimit në këto dy procese. Pra, parimisht në atë sa i përket komisionit tonë nuk është që kemi ndonjë mungesë qoftë të bashkëpunimit me organizata të tilla, qoftë të bashkëpunimit me gazetarë lokalë dhe natyrisht që unë gjithmonë do të mbështes lirinë e mediave, pikërisht për këtë qëndroj dhe pikërisht për këtë arsye jam munduar që këto dy procese të jenë plotësisht të pavarura.
Zëri i Amerikës: Ju jeni anëtare në komisionin për mandate, imunitete, rregulloren e parlamentit dhe mbikqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Në çfarë faze ndodhet procesi i vetingut që ka propozuar qeveria dhe si po trajtohen kundërshtimet që janë shprehur për të?
Doarsa Kica: Qeveria tashmë ka ardhur me një koncept-dokument për vetingun dhe në fakt ky koncept dokument dhe draft-ligji për vetingun tashmë janë duke u shqyrtuar Komisioni i Venecias dhe ministria e Drejtësisë e ka krijuar një praktikë që fillimisht këto ligje t’i adresojë te Komisioni i Venecias dhe më pas varësisht nga shqetësimet eventuale që ato mund t’i kenë, të reflektojnë të njëjtat në draftin ekzistues dhe më pas ai të përcillet në parlament. Pra tashmë jemi në fazën ku po trajtohet nga Komisioni i Venecias dhe unë mund të them që jam ndër personat që më shumti vlerësoj që ka nevojë patjetër të mbështetet kjo nismë e ministrisë së Drejtësisë. Vetë jam me prapavijë të avokates, vetë kam punuar në sistem të drejtësisë dhe mendoj që indikatorët janë të pamohueshëm. Unë e kuptoj që ka skepticizëm dhe ka hezitime, mendoj që çdo reformë e thellë në drejtësi do të duhej të pritej me skepticizëm dhe hezitime sepse çdo format tjetër do të ishte plotësisht i pakuptimtë. Frikërat janë gjithmonë të mira në raste të tilla sepse shërbejnë që ekzekutivi të reflektojë mbi to dhe të vijë me projektligje akoma më të mira. Mendoj që koncept-dokumenti ka ofruar shumë alternativa të vetingut, kemi mësuar nga praktika në Shqipëri dhe problemet që kanë ndodhur me procesin e vetingut atje, jemi plotësisht të vetëdijshëm ndaj rreziqeve eventuale që mund të vijnë me procesin e vetingut dhe mendoj se këto tashmë janë adresuar mjaft mirë nga qeveria.
Zëri i Amerikës: Do të kërkoni një ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë perendimorë lidhur me këtë proces?
Doarsa Kica: Absolutisht, në fakt është pikërisht fryma e mënyrës se si mendohet të bëhet vetingu, që do të kërkohet që trupa fillestare e vetingut, që do të jetë trupë e jashtme përtej Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor, të jetë një trupë potencialisht me një filtër ndërkombëtar, pra një filtër të një organizate ndërkombëtare në mënyrë që të evitohet çfarëdo indikacioni i ndonjë ndikimi politik të brendshëm. Por kjo do të kërkonte ndryshime kushtetuese dhe këtu është një ndër hezitimet që mund t’i kemi për momentin.
Zëri i Amerikës: A keni ndonjë angazhim konkret nga këta partnerë?
Doarsa Kica: Për momentin jemi duke biseduar vazhdimisht me Bashkimin Evropian, të cilët i kanë shprehur disa nga shqetësimet e veta që unë megjithatë i mirëkuptoj. Por megjithatë më duhet të insistoj në atë që pikërisht Bashkimi Evropian e ka thënë nëpërmjet raporteve të progresit, që është se mekanizmat aktualë të sistemit të drejtësisë janë jo efektivë dhe pikërisht për këtë arsye ne po mundohemi të krijojmë një mekanizëm efektiv përtej mekanizmave ekzistues deri tani. Po flasim në vazhdimësi, po e bëjmë hulumtimin tonë që të gjejmë akterë ndërkombëtarë, jo detyrimisht në kuadër të BE-së sepse mendoj që kemi figura absolutisht të jashtëzakonshme qoftë shqiptarë apo të huaj të cilët kanë punuar madje në tribunale të ndryshme, që ndoshta t’i angazhojmë në kuadër të gjithë procesit të vetingut.
Zëri i Amerikës: Një pyetje për politikën e brendshme, ka pasur zëra kohët e fundit për një çarje në marrëdhëniet brenda shumicës parlamentare. Si përfaqësuese e listës Guxo, çfarë mund të na thoni për këtë, a ka diçka të vërtetë?
Doarsa Kica: Realisht për çarje flitet që nga themelimi i këtij mandati dhe këtij parlamenti që është mbi një vit, do të thotë që nga komplet fillimi i grupit tonë parlamentar që ishte në bashkëpunim, asokohe lista Vjosa, iniciativa e presidentes dhe lëvizjes Vetëvendosje. Ne gjithmonë kemi dëgjuar që kemi çarje dhe jemi munduar të identifikojmë atë çarje brenda nesh sepse askush nuk e dinte prej nga po vjen, kështu që deri më tani asgjë nuk ka konkrete. Ne megjithatë e kemi lirinë përbrenda grupit parlamentar ta themi mendimin tonë, nuk është se nuk ka ndodhur që deputetët nga radhët e listës Guxo, në fakt edhe nga lëvizja Vetëvendosje të shprehin mendime ndryshe ndaj shumicës parlamentare, kështu që nuk është e vërtetë që ka çarje.