Një zjarr që nisi dy ditë më parë mori përmasa masive të hënën në pjesën jugore të Sazanit, ishulli më i madh në Shqipëri, me një sipërfaqe rreth 5.7 kilometër katrorë.
Krahas dëmeve të pishave shekullore dhe masiveve pyjore zjarri rrezikon shpërthimin e municioneve të mbetura ushtarake pasi zona shërbeu gjatë viteve të komunizmit si baza më e rëndësishme ushtarake detare e Shqipërisë.
Forca të ushtrisë po krijojnë breza shpyllëzimi rreth vatrave të zjarrit për të parandaluar përhapjen, ndërsa era ka shtuar vështirësitë e ndërhyrjes nga toka. Ministria shqiptare e Mbrojtjes nuk ka arritur të përdorë për shuarjen e zjarrit operacione nga ajri me elikopterët e posaçëm ushtarakë “Cugar”, për shkak se ndodhen, sipas saj, në procesin e mirëmbajtjes.
Ministria e Mbrojtjes tha se Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako, së bashku me ekspertë zjarresh, po monitorojnë nga ajri situatën e krijuar për të vlerësuar nevojën e ndërhyrjeve të mëtejshme.