Lidhje

Ekspertët në Ukrainë pastrojnë minat në zonat e banuara


Organizata e Kombeve të Bashkuara vlerëson se Ukraina është tani ndër vendet më të minuara në botë. Në territoret që nuk janë më të pushtuara nga Rusia, ekspertët e piroteknikës tani po pastrojnë qindra mina në ditë.

Ekspertët në Ukrainë pastrojnë minat në zonat e banuara
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:07 0:00

Eksperti ukrainas i piroteknikës, Mykhaylo Ilyev po pastron minat ruse në zonat që Ukraina i ka rimarrë në pjesën veriore të vendit. Ai thotë se kurrë nuk ka parë kaq shumë mina.

"Ne kemi shkatërruar tashmë më shumë se 21 mijë objekte shpërthyese. Tani po pastrojmë minat në fshatrat që ushtria ruse i kishte pushtuar, në mënyrë që njerëzit të kthehen të sigurt dhe të qetë në shtëpitë e tyre", thotë ai.

Ai dhe ekipi i tij punojnë nga mëngjesi deri në mbrëmje, shtatë ditë në javë. Qeni i tij, i quajtur Patron, e ndihmon atë në gjetjen e minave.

Ai është bërë një yll ndërkombëtar dhe për punën e tij ka marrë një dekoratë nga Presidenti ukrainas Volodomyr Zelenskyy.

“Qeni dëgjon me vëmendje zhurmën e sinjaleve që lëshon detektori i metalit dhe fillon të gërmojë menjëherë pas sinjalit përfundimtar.”

Zoti Ilyev dhe ekipi i tij po kryejnë atë që ata e quajnë çminim operacional, duke iu përgjigjur njoftimeve për eksplozivë të raportuara nga banorët. Faza tjetër është çminimi humanitar, që e shpall të sigurt një zonë të caktuar banimi.

“Kjo është një mënyrë shumë më e gjatë e çminimit. Rezultati përfundimtar i çminimit humanitar është transferimi i tokës tek pronari i saj”, thotë Timur Pistriuga nga Shoqata e Ekspertëve ukrainas të heqjes së Minave.

Edhe organizata ndërkombëtare “Halo Trust” po punon në pastrimin e minave në Ukrainë.

"Halo Trust tashmë ndodhet në Ukrainë. Kemi punësuar katërqind e tridhjetë njerëz dhe kemi punuar atje që nga viti 2016. Vizitova zonat ku po punon organizata jonë për të parë se si mund të përshtatemi me situatën e krijuar nga konflikti aktual. Puna jonë nuk është më e përqendruar vetëm në rajonin e Donbasit, tani jemi të angazhuar në të gjithë vendin”, thotë James Cowan, president i organizatës “Halo Trust”.

Shërbimi ukrainas i Emergjencave thotë se nuk janë të minuara vetëm rrugët dhe fushat, por edhe zonat e banuara, makinat, madje edhe varrezat. Presidenti i organizatës “Halo Trust”, James Cowan thotë se ata po gjejnë të gjitha llojet e materialeve shpërthyese.

"Ka një përzierje të minave tokësore, municioneve të lëshuara nga ajri, predhave të artilerisë, predhave raketore, kurtheve dhe shumë gjëra të ndryshme", thotë ai.

Është një proces me kosto të lartë, i rrezikshëm, dhe që kërkon kohë.

"Ky është një operacion që kushton qindra miliarda dollarë, sepse pastrimi i një metri katror toke kushton rreth 3-4 dollarë. Zona ku do të kryhet çminimi humanitar është aktualisht rreth 132,000 kilometra katrorë", thotë ai.

Ministria e Punëve të Brendshme e Ukrainës vlerëson se një territor dy herë më i madh do të duhet të pastrohet nga mjetet shpërthyese dhe se mund të duhen dekada për të çminuar plotësisht Ukrainën pasi të përfundojë lufta.

XS
SM
MD
LG