Qeveria britanike tha të hënën se sistemet e raketave me mbushje të shumëfishta, që po i ofron Ukrainës do të rrisin në mënyrë të konsiderueshme aftësitë e vendit për t'i bërë ballë agresionit rus.
"Nëse komuniteti ndërkombëtar vazhdon mbështetjen ndaj Ukrainës, unë besoj se ajo mund ta fitojë luftën e saj kundër Rusisë”, tha me anë të një deklarate Sekretari Britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace.
Qeveria britanike tha se sistemi i armëve M270 mund të godasë objektivat deri në 80 kilometra larg "me saktësi të plotë".
Britania premtoi javën e kaluar se do të dërgonte sistemet por nuk ka dhënë detaje për datat e dërgimit të tyre.
Shtetet e Bashkuara njoftuan javën e kaluar planet për të ofruar 700 milionë dollarë ndihmë sigurie për Ukrainën, përfshirë katër sisteme raketash me preçizion të lartë dhe me rreze të mesme, si dhe helikopterë, sisteme antitank Javelin, radarë, automjete taktike dhe të tjera.
Uashingtoni dhe Londra shpresojnë që këto armë të reja do të ndihmojnë Ukrainën të zmbrapsë forcat ruse në rajonin lindor të Donbasit, të cilin Rusia po përpiqet ta marrë plotësisht nën kontroll.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov reagoi të hënën duke paralajmëruar Perëndimin se nëse i dërgon Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi, Moska do të përgjigjet duke marrë nën kontroll zona më të mëdha të vendit.
Duke folur gjatë një konference për shtyp zoti Lavrov tha se "sa më e gjatë të jetë rrezja e veprimit e armëve që dërgoni, aq më larg do të shtyhet vija nga ku neonazistët mund të kërcënojnë Federatën Ruse."
Moska thotë se po lufton kundër neo-nazistëve në Ukrainë – një pretendim i rremë, i hedhur poshtë nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili është hebre dhe ka pasur të afërm që kanë humbur jetën në Holokaust.