Lidhje

Kosovë, arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte


Policia e Kosovës tha se ka arrestuar të enjten një serb nën dyshimet për përfshirje në krime të luftës ndaj popullatës civile në Kosovë gjatë periudhës së viteve 1998 – 1999.

Në njoftimin e policisë thuhet se arrestimi është kryer në fshatin Gurrakoc të komunës së Istogut, rreth 70 kilometra në perëndim të Prishtinës, por nuk u dhanë më shumë hollësi për rastin.

Por, zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, përmes një komunikate bëri të ditur se i arrestuari është 54 vjeçari, Çaslav Joliç, serb nga qyteti i Istogut që jeton në Serbi.

Në komunikatë thuhet se i arrestuari dyshohet për një krim lufte në Kosovë, gjegjësisht për keqtrajtim të një civili në vitin 1998.

“Çaslav është baba i katër fëmijëve me banim në Serbinë qendrore, i cili ka shkuar në Kosovë për vite të tëra dhe për 23 vjet nuk e ka pasur asnjë problem të hyjë apo të qëndrojë në Kosovë deri dje kur më kot u arrestua dhe u dërgua në Prishtinë me arsyetime dhe rrethana të dyshimta”, thuhet në komunikatë.

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë akuzoi siç tha praktikat e gjyqësorit në Prishtinë për të ngritur aktakuza të fshehta kundër serbëve nga Kosova, me dëshmitarë të paqëndrueshëm dhe për t'i dekurajuar ata që të kthehen në shtëpitë e tyre apo të kërkojnë të drejtat e tyre ligjore.

Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Që nga përfundimi i luftës, nga sistemi gjyqësor vendës dhe ndërkombëtarë janë dënuar gjithsej 70 persona për krime lufte.

Një raport i Fondit për të Drejtën Humanitare për vitin 2021, i publikuar në fund të muajit mars, nxjerr në pah ngecjet e sistemit të drejtësisë në Kosovë në trajtimin e krimeve të luftës. Sipas këtij fondi gjatë vitit 2021 është ngritur vetëm një aktakuzë për krime lufte në Kosovë.

XS
SM
MD
LG