Lidhje

Njëqind ditë: lufta Rusi-Ukrainë në numra


Njëqind ditë pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, lufta po shpërfaqë skena tronditëse: kufoma të civilëve në rrugët e Buças; një teatër i hedhur në erë në Mariupol; kaosi në një stacion treni në Kramatorsk pas një sulmi raketor rus.

Këto imazhe shfaqin vetëm një pjesë të pamjes së përgjithshme të konfliktit më të rëndë të armatosur në Evropë në dekada. Më poshtë është një përmbledhje të dhënash e statistikash, që hedhin dritë të mëtejshme mbi vdekjen, shkatërrimin, zhvendosjen dhe shkretimin ekonomik të shkaktuar nga lufta, fundi i së cilës nuk duket në horizont.

Humbjet njerëzore

Askush nuk e di me të vërtetë se sa luftëtarë ose civilë kanë vdekur dhe pretendimet për viktima nga zyrtarë qeveritarë, të cilët ndonjëherë mund të rrisin ose zvogëlojnë numrat për arsye të marrëdhënieve me publikun, është e pamundur të vërtetohen.

Zyrtarët qeveritarë, agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe të tjerët që kryejnë detyrën e zymtë të numërimit të të vdekurve, nuk kanë gjithmonë qasje në vendet ku njerëzit janë vrarë.

Moska ka ofruar informacione të pakta në lidhje me viktimat në radhët e forcave të saj dhe nuk ka dhënë asnjë njoftim për vdekjet e civilëve në zonat nën kontrollin e saj. Në disa vende, siç është qyteti i rrethuar prej kohësh i Mariupolit, që mund të jetë fusha më e madhe e vrasjeve të luftës, forcat ruse akuzohen se po përpiqen të mbulojnë të vërtetën dhe po hedhin trupat në varreza masive, duke fshehur numrin e përgjithshëm të të vrarëve.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha të enjten në një fjalim drejtuar parlamentit të Luksemburgut se "të paktën dhjetëra mijëra" civilë ukrainas kanë humbur jetën deri tani.

Vetëm në Mariupol, zyrtarët kanë raportuar mbi 21,000 civilë të vdekur. Sipas kryebashkiakut të Sievierodonetskut, një qytet në rajonin lindor të Luhanskut që është shndërruar në qendër të sulmeve ruse, janë vrarë rreth 1,500 veta.

Vlerësime të tilla përfshijnë ata që u vranë nga sulmet ruse, por edhe ata që vdiqën nga pasojat e luftës si uria dhe sëmundjet, në mungesë të ushqimeve dhe shërbimeve shëndetësore.

Presidenti Zelenskyy tha këtë javë se 60 deri në 100 ushtarë ukrainas po vdesin në luftime çdo ditë, me rreth 500 të tjerë që mbeten të plagosur.

Të dhënat e fundit të Rusisë për humbjet në radhët e forcave të saj, u publikuan me 25 mars, kur një gjeneral i tha medias shtetërore se 1,351 ushtarë ishin vrarë dhe 3,825 ishin plagosur.

Ukraina dhe vëzhguesit perëndimorë thonë se numri i saktë është shumë më i lartë. Presidenti Zelenskyy tha të enjten se më shumë se 30,000 ushtarakë rusë kanë vdekur, “më shumë se sa humbi Bashkimi Sovjetik në 10 vitet e luftës në Afganistan”. Në fund të muajit prill, , qeveria britanike vlerësoi humbjet ruse në 15,000.

Duke folur në kushte anonimiteti të mërkurën, një zyrtar perëndimor tha se Rusia "po pëson ende viktima, por ... në numër më të vogël". Zyrtari vlerësoi se rreth 40,000 trupa ruse janë plagosur.

Në zonat separatiste të mbështetura nga Moska në Ukrainën lindore, autoritetet kanë raportuar mbi 1,300 luftëtarë të vrarë dhe rreth 7,500 të plagosur në rajonin e Donetskut, së bashku me 477 civilë të vrarë dhe rreth 2,400 të plagosur si dhe 29 civilë të vrarë dhe 60 të plagosur në Luhansk.

Shkatërrimet

Bombardimet e pamëshirshme dhe sulmet ajrore i kanë kthyer në rrënoja zonat e tëra në shumë qytete.

Komisioni parlamentar ukrainas për të drejtat e njeriut, thotë se ushtria ruse ka shkatërruar pothuajse 38,000 ndërtesa banimi, duke lënë të pastrehë rreth 220,000 veta.

Gati 1,900 objekte arsimore nga kopshtet e fëmijëve, shkollat e mesme dhe universitetet janë dëmtuar, ndërsa 180 janë rrënuar tërësisht.

Sipas zyrtarëve ukrainas, humbjet e tjera të infrastrukturës përfshijnë 350 ura, 500 fabrika dhe rreth 500 spitale të dëmtuara.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka numëruar 296 sulme ndaj spitaleve, ambulancave dhe punonjësve shëndetësorë në Ukrainë.

Zhvendosjet

Agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR, vlerëson se rreth 6.8 milionë njerëz janë dëbuar nga Ukraina gjatë konfliktit. Por, që kur luftimet u qetësuan në zonën afër Kievit dhe forcat ruse u zhvendosën në lindje dhe në jug, rreth 2.2 milionë janë kthyer në vend.

Organizata Ndërkombëtare e Migrimit vlerëson se që deri më 23 maj kishte më shumë se 7.1 milionë njerëz të zhvendosur brenda vendit, që është më pak nga mbi 8 milionë sa ishte vlerësuar më herët.

Tokat e pushtuara

Zyrtarët ukrainas thonë se para agresionit të shkurtit, Rusia kontrollonte rreth 7 për qind të territorit ukrainas, duke përfshirë Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014, dhe zonat e mbajtura nga separatistët në Donetsk dhe Luhansk. Të enjten, presidenti Zelenskyy tha se forcat ruse tani kontrollojnë 20 për qind të vendit.

Ndonëse vijat e frontit zhvendosen vazhdimisht, kjo arrin në 58,000 kilometra katrorë shtesë nën kontrollin rus, një sipërfaqe e përgjithshme pak më e madhe se Kroacia ose pak më e vogël se shteti amerikan i Virxhinias Perëndimore.

Rënia ekonomike në Rusi dhe Ukrainë...

Perëndimi ka vendosur një mori sanksionesh hakmarrëse kundër Moskës, duke përfshirë sektorët thelbësorë të naftës dhe gazit dhe Evropa ka filluar të shkëputet nga varësia e saj nga energjia ruse.

Evgeny Gontmakher, drejtor i grupit të ekspertëve “Dialogu Evropian”, shkroi në një letër këtë javë se Rusia aktualisht përballet me mbi 5,000 sanksione, më shumë se çdo vend tjetër. Rreth 300 miliardë dollarë të arit dhe rezervave valutore ruse në Perëndim janë ngrirë, shtoi ai, dhe trafiku ajror në vend ra nga 8.1 milionë në 5.2 milionë udhëtarë midis janarit dhe marsit.

Për më tepër, Shkolla Ekonomike e Kievit ka raportuar se më shumë se 1000 kompani kanë kufizuar operacionet e tyre në Rusi.

Indeksi i aksioneve MOEX në Rusi ra me rreth një të katërtën pak para agresionit dhe ka rënë gati 40 për qind nga fillimi i vitit. Banka Qendrore Ruse tha javën e kaluar se inflacioni arriti në 17.8 për qind në muajin prill.

Ndërkohë, Ukraina thotë se ka pësuar një goditje tronditëse ekonomike: 35 për qind e Prodhimit të Brendshëm është shkatërruar nga lufta.

"Humbjet tona të drejtpërdrejta i kalojnë 600 miliardë dollarët”, tha së fundmi Andriy Yermak, shefi i kabinetit të presidentit Zelenskyy.

Ukraina, një prodhues i madh bujqësor, thotë se nuk ka qenë në gjendje të eksportojë rreth 22 milionë tonë drithëra dhe fajëson bllokadat ruse ose pushtimin e porteve kryesore. Presidenti Zelenskyy akuzoi Rusinë këtë javë për vjedhjen e të paktën gjysmë milioni tonë drithërash gjatë agresionit.

...Dhe në botë

Pasojat janë shtrirë në të gjithë globin, duke rritur më tej çmimet e mallrave bazë mbi inflacionin që po ngrihej në shumë vende që përpara agresionit.

Çmimet e naftës së papërpunuar në Londër dhe Nju Jork u rritën me 20 deri në 25 për qind, duke çuar në çmime më të larta në shitjet me pakicë.

Vendet në zhvillim po goditen veçanërisht nga çmimet më të larta të ushqimit dhe karburanteve, ekonomistit Richard Kozul-Wright i Konferencës së OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin.

Furnizimi me grurë është rënduar në vendet afrikane, të cilat importonin 44 pëer qind të grurit nga Rusia dhe Ukraina në vitet para agresionit. Banka Afrikane e Zhvillimit ka raportuar një rritje prej 45 për qind të çmimeve për drithërat, duke prekur gjithçka, nga kus-kusi i Mauritanisë deri tek petullat në Kongo.

XS
SM
MD
LG