Lidhje

Kryeministri i Kosovës refuzon pjesëmarrjen në takimin e radhës të nismës “Ballkani i Hapur”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevksi që të dyja vendet të punojnë se bashku për të parandaluar Serbinë që “të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajon”.

Ai i bëri këto komente duke u përgjigjur në ftesën e kryeministrit Kovaçevski, për të marrë pjesë në takimin e nismës “Ballkani i Hapur”, që pritet të mbahet në Ohër, më 7 dhe 8 qershor.

Në letër kryeministri Kurti thekson se Kosova “mirëpret bashkëpunimin rajonal të bazuar në parimet e barazisë dhe me qytetarët si përfitues përfundimtarë” dhe se për këtë qëllim “është angazhuar në mënyrë aktive në Procesin e Berlinit, i cili mbulon shumë iniciativa rajonale, duke përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në 2020 dhe u miratua dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian”.

Por, shkruan mes tjerash kryeministri Kurti, “siç e dini, në kuadër të Procesit të Berlinit Serbia kërkon trajtim të pabarabartë për qytetarët e Kosovës dhe bllokon çdo marrëveshje brenda Tregut të Përbashkët Rajonal që mundëson bashkëpunim rajonal të bazuar në parimet e barazisë”.

Kryeministri Kurti përmbyllë letrën e tij duke theksuar se “duke pasur parasysh vlerat e përbashkëta mes dy vendeve tona, është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”.

Nismës “Ballkani i Hapur” që është hedhur nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut, e cila synon vendosjen e lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve në rajon, nuk i janë bashkuar Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi.

Ditë më parë, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq paralajmëroi pjesëmarrjen në takimin e radhës të kësaj nisme, e cila kundërshtohet nga presidenti malazez, Milo Gjukanoviç.

XS
SM
MD
LG