Lidhje

Shqipëri, ish drejtori i RTSH-së dënohet me 1 vit e 4 muaj burgim


SPAK dhe Gjykata e posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar
SPAK dhe Gjykata e posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar

Në Shqipëri, Gjykata e shkallës së parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar vendosi sot të dënojë me dy vite burgim ish drejtorin e Radio-Televizionit shtetëror Thoma Gëllçi, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të duhet të vuajë 1 vit e 4 muaj burgim. Gjykata gjithashtu vendosi që atij t’i hiqet e drejta për ushtrimin e funksioneve publike për një periudhë 5 vjeçare.

Ish drejtori i përgjithshëm i RTSH-së, u arrestua në tetor të vitit të shkuar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, sipas së cilës, ishin konstatuar “shkelje ligjore në procedurën e prokurorimit” të organizuar në nëntor të vitit 2018 për blerjen e disa pajisjeve për kanalin “RTSH Agro”. Për të njejtin tender, me një vlerë prej afro 87 milion lekë, u arrestuan dhe tre punonjës së këtij institucioni, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Julian Tapia, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj, nën dyshimet për “shkelje të barazisë në tendera”. Këta të fundit u dënuan sot nga gjykata me 1 vit burgim.

E gjithë akuza ndaj zotit Gëllçi lidhet me një shtesë në kontratën me firmën fituese, për shtyrjen e afatit të pagesës nga ana e RTSH-së, duke qenë se nga ministria e Financave nuk ishte lëvruar ende fondi, si dhe shtyrje të dorëzimit në një moment të dytë të pajisjeve, të cilat firma i kishte gati për dorëzim që brenda afatit fillestar. Veprim, i cili nuk rezulton të ketë passjellë dëm financiar për institucionin. Përkundrazi, sipas zotit Dorjan Matlia, avokat mbrojtës i zotit Gëllçi “nga përllogaritjet tona, nëse nuk do të ishte vepruar në këtë mënyrë, për shkak të pagesës jo në kohë të vlerës së kontratës, RTSH-ja, do të kishte qenë e detyruar të paguante mbi 6 milion lekë në formë të kamatvonesave”.

Avokati Matlija, i tha Zërit të Amerikës, se ishte ndjerë “i shokuar nga vendimi i gjykatës. Ishte një vendim qartësisht i padrejtë. Duket se Gjykata ose nuk e ka kuptuar çështjen, ose nuk ka dashur ta kuptojë, pasi vendimi nuk mbështetet mbi faktet e dosjes”. Sipas tij ka patur një “tendenciozitet të Gjykatës në qëndrimin e saj ndaj zotit Gëllçi, edhe po të shohësh masën e dënimit. Në raste analoge, Gjykata ka dhënë dënime ndjeshëm më të ulta. Mesa duket ka një tendendencë për ta bërë zotin Gëllçi “shembull” që së pari të kënaqin interest e dikujt, dhe e dyta që të duket sikur SPAK-u ka funksionuar e ta konsiderojë këtë si një sukses”.

Avokati Matlija, deklaroi më tej se “beteja jonë do të vijojë, dhe vendimi pa asnjë dyshim do të ankimohet”.

XS
SM
MD
LG