Lidhje

Projekt-rezolutë në Kongresin amerikan për të nderuar aktivisten Vasfije Krasniqi-Goodman


Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Colin Allred paraqiti të martën një projekt-rezolutë për të nderuar aktivisten e të drejtave të njeriut, Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Në dokument u bëhet gjithashtu thirrje Shteteve të Bashkuara që të angazhohen për t’u siguruar që qeveria e Serbisë të hetojë dhe ndjekë penalisht të gjithë ata që janë përgjegjës për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Demokrati Allred është përfaqësues i shtetit të Teksasit dhe zonja Krasniqi-Goodman është banore e këtij shteti.

Zoti Allred e paraqiti projekt-rezolutën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve. Pas shqyrtimit në Komision, dokumenti kalon në Dhomën e Përfaqësuesve.

"Jam shumë i frymëzuar nga guximi i Vasifjes për të ndarë historinë e saj të dhimbshme së saj pikëlluese dhe për të hedhur dritë mbi realitetin e dhunës seksuale të kryer nga ushtria dhe policia serbe gjatë luftës së Kosovës," tha zoti Allred.

"Njoftimet për dhunën seksuale që ndodhin në Ukrainë janë një kujtesë e qartë se nuk duhet t’i harrojmë tragjeditë e së kaluarës dhe të hedhim dritë mbi historitë e të mbijetuarve që të mund të punojmë për identifikimin e përgjegjësisë dhe të sigurohemi që kjo të mos ndodhë më kurrë. Kjo është arsyeja pse kjo rezolutë është kaq e rëndësishme dhe pres me padurim të punoj që ajo të mbështetet dhe miratohet nga e gjithë Dhoma e Përfaqësuesve”, tha zoti Allred në një deklaratë.

Zonja Krasniqi-Goodman tha se paraqitja e projekt-rezolutës që dënon përdhunimin si armë lufte dhe thekson nevojën për drejtësi dhe vënie para përgjegjësisë, është një moment krenarie për të si edhe për “20,000 të mbijetuarit e krimeve të luftës seksuale në Kosovë dhe në mbarë botën”.

"Unë i jam jashtëzakonisht mirënjohës (anëtarit të Kongresit Allred) dhe bashkë-sponsorizuesve të (projekt-rezolutës) që po ngrenë zërin në mbështetje të të mbijetuarve dhe kërkesës sonë për drejtësi. Çdo hap në luftën tonë u jep shpresë të tjerëve dhe i inkurajon ata të ngrihen dhe të vazhdojnë luftën”, tha ajo.

Zonja Krasniqi-Goodman vlerësoi angazhimin e lëvizjes “Rally for Her Justice” për çështjen e të mbijetuarve nga dhuna seksuale në luftë dhe rolin e saj në paraqitjen e projekt-rezolutës.

Në deklaratën e shtypit të zotit Allred thuhet se dhuna seksuale dhe me bazë gjinore vazhdon të jetë një pjesë e turpshme e luftës moderne “siç dëshmohet së fundi nga mizoritë e tmerrshme në Buça të Ukrainës”.

Po ashtu, thuhet në deklaratë, ndërsa SHBA dhe aleatët e tyre punojnë për të mbledhur prova dhe të vënë para përgjegjësisë autorët e krimeve të luftës në konfliktet e sotme, “është e rëndësishme të shqyrtohen mësimet nga e kaluara”.

Projekt-rezoluta u mbështet gjithashtu nga anëtarët demokratë të Kongresit, Adriano Espaillat dhe Ritchie Torres nga Nju Jorku, Juan Vargas nga Kalifornia dhe Marc Veasey nga Teksasi.

Projekt-rezolutë në Kongresin amerikan për të nderuar aktivisten Vasfije Krasniqi-Goodman
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:01 0:00

Ditë më parë, më 11 maj, zonja Kransiqi-Goodman e shoqëruar nga aktiviste të tjera kundër dhunës seksuale pati një takim në Kongres me ligjvënësin Colin Allred dhe dhjetë ligjvënës të tjerë. Ata patën rastin të dëgjojnë nga afër rrëfimin e saj se si ishte dhunuar nga forcat serbe kur ishte 16 vjeçare dhe betejën e saj për drejtësi, vite pas përfundimit të luftës së Kosovës gjatë viteve 98-99.

Ligjvënësit inkurajuan zonjën Krasniqi-Goodman që të vazhdojë angazhimin e saj për drejtësi, sepse siç u shprehën ata, kjo është mënyra e vetme për të fituar këtë betejë dhe për të ndihmuar viktimat e tjera të përballojnë tmerrin që kanë përjetuar në atë periudhë.

XS
SM
MD
LG