Pak kohë pasi Rusia nisi agresionin e saj në Ukrainë, ish veprimtarja e opozitës, Elena Zaslavska, ishte në banesën e saj në qendër të Moskës, kur policia trokiti në derën e saj.
Pyetjeve të policisë rreth qëllimit të udhëtimeve të saj të fundit në Dubai dhe Kanada ajo iu përgjigj lehtësisht. Zonja Zaslavska kishte shkuar për të vizituar djemtë e saj që jetojnë atje. Por, për fizikanen 60 vjeçe në pension dhe bashkëshortin e saj, vizita e policisë ishte një paralajmërim i qartë.
Brenda pak ditësh çifti paketoi valixhet dhe u nis për në Mal të Zi, një shtet i vogël ballkanik që është bërë strehë për mijëra rusë që ikin nga sanksionet, rekrutimi ushtarak ose shtypja politike.
"Ne përfunduam këtu sepse nuk kishte asnjë mundësi të qëndronim në Rusi, nën qeverinë e saj aktuale, sepse gjithçka që po ndodh atje është e papranueshme për pikëpamjet tona dhe botëkuptimin tonë”, tha zonja Zaslavska. Ata janë vendosur në Lastva Gërbaljska, një fshat pranë Adriatikut, ku jeta është e qetë dhe klima e këndshme. Ata mbijetojnë me pensionet e tyre.
Një tjetër rus që e ka bërë Malin e Zi shtëpinë e tij të përhershme që nga agresioni rus është Marat Gelman, një kritik i hapur i (Vladimir) Putinit. Dhjetorin e kaluar, Kremlini e vendosi atë në një listë të 'agjentëve të huaj' të cilët duhet të regjistrohen dhe të deklarojnë çdo financim ose donacion nga jashtë, dhe që atëherë ai nuk është kthyer më në shtëpi.
Mali i Zi, vendbanim i vetëm 620 mijë banorëve, dikur gëzonte lidhje të ngushta me Rusinë, por ato u përkeqësuan pas vendimit të Malit të Zi për t'u bashkuar me NATO-n, pavarësisht paralajmërimeve nga presidenti rus Vladimir Putin se anëtarësimi në aleancën perëndimore do të çonte "në veprime hakmarrëse".
Në vitin 2016, Mali i Zi akuzoi oficerët rusë të zbulimit dhe nacionalistët serbë për një përpjekje për të rrëzuar udhëheqjen e vet properëndimore, akuzë të cilën Moska e hodhi poshtë si absurde. Vendi megjithatë ka mbetur një destinacion i famshëm për rusët, të cilët mund të hyjnë në Mal të Zi pa vizë dhe të qëndrojnë për 30 ditë përpara se të kenë nevojë për një leje qëndrimi. Sipas të dhënave të qeverisë, rusët zotërojnë rreth 19 mijë njësi të pasurive të paluajtshme në Mal të Zi, ku investimet ruse janë të barabarta me më shumë se një të katërtën e prodhimit të brendshëm bruto të vitit 2019.
Gelman tha se në mesin e rusëve që kërkojnë strehim në Mal të Zi ka njerëz të pasur të biznesit me familjet e tyre, si dhe të rinj rusë që ikin nga rekrutimi ushtarak për të shmangur mundësinë e dërgimit për të luftuar në Ukrainë.
“Pranvera dhe rekrutimi në ushtri kanë filluar, dhe sigurisht në një situatë të tillë, prindërit po shesin pronat dhe po përdorin paratë e kursyera për raste të vështira, për të blerë bileta për fëmijët e tyre që të vijnë në Mal të Zi ku po u marrin shtëpi me qera që të mos përfundojnë në atë luftë”, tha Gelman.
Bizneset po zhvendosen gjithashtu në Mal të Zi, i cili është në proces të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në prill, vendi iu bashkua sanksioneve të BE-së kundër Moskës, duke përfshirë ndalimin e fluturimeve ruse në hapësirën e vet ajrore, si dhe mediat shtetërore ruse.
‘Artec3D’, një prodhues i skanerëve 3D me qendër në Luksemburg, kohët e fundit ka zhvendosur degën e kërkimit dhe zhvillimit nga Moska në një ndërtesë me pamje nga deti në fshatin jugor Utjeha.
Pronari, Artyom Yukhin, tha se 50 punonjës dhe familjet e tyre kishin pranuar një ofertë për t'u zhvendosur nga Moska në Mal të Zi. Kompania e tij kishte qenë tashmë në kërkim të një vendi të ri në Evropë, thotë ai, por lufta e shtyu atë ta bënte një gjë të tillë më shpejt.
Ndërkohë, Serbia fqinje ka pranuar gjithashtu një valë të mijëra rusëve që nga agresioni i Rusisë në Ukrainë.
"Zyra të tëra, grupe prej 200 e 300 personash po vijnë”, tha Mikhail Lukyanchenko, 45 vjeç, një inxhinier softuerësh nga qyteti jugor i Rusisë, Rostov mbi Don.
Lukyanchenko tha se e kuptoi që ishte koha për t'u larguar nga Rusia “kur gjithçka filloi më 24 shkurt".
“Do të shoh se si po zhvillohen gjërat, dua të kthehem në shtëpi, dua të jetoj në shtëpi, por si po shkojnë gjërat tani, nuk mund të jetoj atje”, tha ai.
Sipas Agjencisë Shtetërore të Regjistrimeve të Biznesit, vetëm nga 24 shkurti deri më 5 maj, Serbia regjistroi rreth 480 sipërmarrës individualë dhe mbi 190 kompani nga Rusia.