Tashmë është po aq e parashikueshme sa thirrjet për vëmendje dhe lutje: sulmet me armë lënë pas shumë të vdekur e masakrat shoqërohen gjithaq me teori nga më të tronditëset të konspiracioni e dezinformata.
Kjo gjë ka ndodhur pas incidenteve në Sandy Hook, pas Parkland-it, pas të sulmit me armë në klubin e natës në Orlando dhe ngjarjes së përgjakshme në fillim të këtij muaji në një dyqan ushqimor ne Buffalo. Brenda disa orësh pas të shtënave në një shkollë të martën në Uvalde të Teksasit, një tjetër “sulm” nisi në internet kur u përhapën pretendime të pabaza rreth personit të armatosur dhe motiveve të tij të mundshme.
Në Twitter, Reddit dhe platforma të tjera të medias sociale u përhapën me shpejtësi pretendime të pabaza se personi i armatosur ishte një emigrant që jetonte ilegalisht në SHBA, apo transgjinor. Ata u shoqëruan nga teori konspirative të njohura që sugjeronin se sulmi me armë ishte në një farë mënyre i inskenuar.
Sipas ekspertes së dezinformimit Jaime Longoria, pretendimet pasqyrojnë probleme më të gjera me racizmin dhe intolerancën ndaj personave transgjinorë dhe janë një përpjekje për të fajësuar grupet pakicë që tashmë përballen me nivele më të larta të ngacmimeve në internet dhe krime me bazë urrejtjen.
“Është një taktikë që u shërben dy qëllimeve: shmang bisedat reale mbi çështjen e dhunës me armë dhe u jep njerëzve që nuk duan të përballen me realitetin një objektiv për të fajësuar”, thotë zonja Longoria, drejtore e kërkimeve e “Disinfo Defense League”, një organizatë jofitimprurëse që punon për të luftuar dezinformimin me bazë racizmin.
Në orët që pasuan sulmin me armë, postimet me pretendime false se personi i armatosur jetonte ilegalisht në vend u bënë virale. Disa përdorues të medias sociale i shtonin “zbukurime”, duke shkruar se personi ishte "në arrati e se po ndiqej nga Patrulla Kufitare".
“Ai ishte një emigrant i paligjshëm i kërkuar për vrasje nga El Salvadori”, shkruhej në një postim në Twitter, i cili kishte marrë me qindra pëlqime dhe po aq herë ishte ripostuar në Twitter. "Ky është gjak në duart e Bidenit dhe nuk duhet të kishte ndodhur kurrë", shkruhej më tej.
Në një konferencë shtypi të martën, guvernatori i Teksasit Greg Abbott tha se personi që kreu sulmin, ishte 18-vjeçari Salvador Ramos, me shtetasi amerikane.
Përdorues të tjerë të medias sociale vendosnin imazhe të përdoruesve të pafajshëm të internetit duke i identifikuar ata në mënyrë false si autorë të sulmit me armë, e duke pretenduar se ishin transgjinorë. Në faqen e internetit 4Chan, përdoruesit shpërndanë foto dhe diskutonin rreth një plani për ta etiketuar personin e armatosur si transgjinor, pa asnjë provë që i mbështeste këto pretendime.
Në një postim në Twitter, i cili tashmë rezulton të jetë fshirë, shfaqet fotoja e një gruaje transgjinore, duke mbajtur një shishe jeshile në gojë, e duke parë drejt kameras me një kufje që i varet nga njëri vesh.
Asgjë nga këto nuk është e vërtetë. Fotoja në fakt ishte e një gruaje transgjinore 22-vjeçare e quajtur Sabrina, e cila jeton në qytetin e Nju Jorkut. Sabrina, e cila kërkoi që mbiemri i saj të mos publikohej për shkak të shqetësimeve lidhur me privatësinë, konfirmoi për agjencinë e lajmeve “Associated Press” se fotografia ishte e saj, por shtoi se ajo nuk ishte e lidhur me llogarinë e supozuar në YouTube.
Sabrina tha se kishte marrë komente ngacmuese në mediat sociale, veçanërisht mesazhe që pretendonin se kishte qenë ajo që kishte qëlluar. Ajo i ishte përgjigjur një sërë mesazheve e kishte kërkuar që postimet të fshihen.
"E gjithë kjo sprovë është thjesht diçka e tmerrshme", tha Sabrina për AP.
Një tjetër foto që qarkulloi gjerësisht në median sociale tregonte një grua transgjinore me një xhup që shkruante Coca-Cola dhe një fund të zi. Një foto e dytë tregonte të njëjtën grua të veshur me një këmishë të zezë të NASA-s me një fund të kuq. Në asnjë nga fotot nuk shfaqej personi i armatosur, ato ishin të një përdoruesi të platformës Reddit, me emrin Sam, e cila konfirmoi identitetin e saj për AP-në të mërkurën. Agjencia nuk e përdori mbiemrin e Samit për të mbrojtur privatësinë e saj.
“Nuk jam unë. Unë as që jetoj në Teksas”, shkruante ajo në një postim në Reddit.
Autoritetet nuk kanë publikuar të dhëna rreth seksualitetit ose identitetit gjinor të autorit të krimit.
Ligjvënësi nga Arizona, Paul Gosar iu referua të dyja pretendimeve të pabazuara rreth autorit të sulmit në një postim në Twitter, të cilin më vonë e fshiu.
“Është një i transeksual i huaj dhe i jashtëligjshëm i quajtur Salvatore Ramos”, shkroi zoti Gosar në Twitter të martën në mbrëmje.
Zyra e ligjvënësit nuk iu përgjigj kërkesës për të komentuar mbi këtë çështje.
Në disa raste, keqinformimet rreth sulmeve me armë ose ngjarjeve të tjera shpërndahen në rrjete sociale me qëllimin për të ndihmuar. Por ka edhe raste kur disa persona mundohen të grumbullojnë fonde për kauza të rreme ose të tërheqin vëmendjen tek faqet ose organizatat e tyre. Ka të tjerë që i shpërndajnë ato vetëm për zbavitje.
Sipas Ben Deckeer, themelues dhe shef ekzekutiv i kompanisë së hetimeve dixhitale “Memetika”, grupet me pikëpamje ekstreme, përfshirë ato në platformën “4chan”, shfrytëzojnë sulmet me armë dhe tragjedi të tjera për të nxitur kaos, kontrolluar publikun dhe për të shtyrë teza të dëmshme.
“Ata bëjnë postime me qëllimin për të mbështetur këto incidente dhe për të ushtruar ndikim tek debatet qendrore”, thotë zoti Deckeer.
“Ekziston një dëshirë nihiliste për të provuar veten në komunitete si këto për të kontrolluar me sukses publikun. Pra, nëse nëse arrini të udhëhiqni një fushatë që të çon në një rezultat si ky, ju fitoni më shumë besueshmëri brenda grupit”.
Megjithatë, për komunitetet që vuajnë pasojat e sulmeve të tilla të ashpra në internet, fajësimi i pabazë ngjall shqetësime lidhur me diskriminim e dhunë të mëtejshme.
Një koment transfobik në rrjete sociale, që mund të duket si i padëmshëm, mund të ndezë një akt dhune ndaj një personi transgjinor, thotë Jaden Janak përfaqësues i qendrës së Studimeve Transgjinore në Universitetin e Teksasit.
“Këta fëmijë e mësues që u vranë, po jetonin jetët e tyre. Ata nuk e dinin se e djeshmja ishte dita e tyre e fundit. Nga ana tjetër, si pjesëtarë të komunitetit transgjinor, kjo është një frikë e përhershme për ne”, thotë zoti Janak.