Lidhje

Kosovë, kërkesë për lejimin e tërheqjes së një pjese të kursimeve të pensioneve


Kosovë protesta
Kosovë protesta

Një grup qytetarësh në mesin e të cilëve edhe deputetë të opozitës, protestuan të enjten në Prishtinë me kërkesën për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve nga skema e pensioneve.

Kosovë, kërkesë për lejimin e tërheqjes së një pjese të kursimeve të pensioneve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:47 0:00

Protestuesit u bënë thirrje qeverisë dhe deputetëve të shumicës në parlament që ta miratojnë një mundësi të tillë.

“Gjendja në të cilën ndodhemi është urgjente. Të gjitha çmimet e produkteve bazike dhe të tjera janë rritur në mënyrë enorme prandaj nuk ka kohë më shumë, durimi ka humbur. Prandaj qeveria nuk ka arsye të mos votojë pro Trustit pasi që 95 për qind e popullit është pro Trustit”, tha organizatori i protestës, Adnan Jashari.

Kërkesa për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve nga skemat e pensioneve është shndërruar në debate të ashpra ndërmjet opozitës që kërkon të lejohet tërheqja si mbështetje financiare për shkak të rritjes së çmimeve dhe qeverisë që kundërshton një mundësi të tillë.

Për të lejuar një gjë të tillë duhet të ndryshohet ligji për Fondin e Kursimeve të pensioneve.

Partia Demokratike në opozitë tashmë ka dorëzuar projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji, nëpërmjet të cilit kërkon që tërheqja e kursimeve të pensioneve të bëhet me kategori të ndryshme, varësisht nga shuma e kursimeve. Sipas propozimit, ata që kanë kursime më të mëdha do të lejohej të tërheqin 10 për qind të parave të tyre, ndërsa ata me kursime më të ulëta të tërheqin 30 për qind të mjeteve.

Deputetët e opozitës vendosën sot pankarta me mbishkrimin “Voto për Trustin”, në sallën e parlamentit duke i bërë thirrje partisë në pushtet që ta mbështes këtë nismë.

“Thuaj po ligjit për Trustin që ata që kanë kursime në Trust të kenë mundësi me i tërheq ato mjete e paret e qeverisë le të fokusohen në kategori më të ndjeshme, te të papunët, pensionistët, femrat pa punë, studentët dhe të gjithë të tjerët që ka mundësi shteti me i mbështet”, tha deputeti i Partisë Demokratike, Bekim Haxhiu.

“Lëreni krenarinë anash, lëreni anash ndjenjën e fituesit apo lëreni anash edhe inatet politike që kjo iniciativë nuk është ide apo plan i qeverisë në pushtet. Me rëndësi kjo ide është shumë e rëndësishme dhe ju ndihmon shumë qytetarëve në jetën e tyre”, tha deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se në këtë kohë krizash qeveria po mbështet qytetarët që janë në gjendje më të rëndë sociale.

“Në vazhdimësi po thuhet që qeveria nuk ka bërë asgjë ose masat që i ka marr qeveria janë të njëhershme prandaj duhet me tërheq Trustin, që paradoksalisht është gjithashtu diçka e njëhershme ose të paktën kështu po prezantohet. Në krizë inflacionare ose kriza të ngjashme, çfarë duhet të bëhet detyra e qeverisë është që të mbështesë ata që kanë nevojë më së shumti dhe ata që kanë nevojë janë kategoritë sociale”, tha ai.

Fondi i Kursimeve të Pensioneve të Kosovës apo i njohur shkurt si Trusti është institucion publik i pavarur, i themeluar nga parlamenti i Kosovës, në vitin 2001. Ky institucion menaxhon kontributet e detyrueshme dhe vullnetare të pensioneve të të punësuarve në Kosovë. Me ligj, çdo qytetar mund t’i tërheq paratë pas pensionimit në moshën 65 vjeçare.

Në vitin 2020, parlamenti i Kosovës kishte votuar për lejimin e tërheqjes deri 10 për qind të parave të kursyera nga qytetarët për shkak të përkeqësimit të situatës ekonomike nga pasojat e pandemisë COVID-19.

XS
SM
MD
LG