18 fëmijë dhe tre të rritur humbën jetën të martën kur një 18 vjeçar hapi zjarr në një shkollë fillore në Teksas. Edhe autori i sulmit vdiq.
Shkolla fillore Robb është në Uvalde, rreth 135 kilometra në perëndim të San Antonios.
Guvernatori Greg Abbott tha se i dyshuari, i identifikuar si 18-vjeçari Salvador Ramos, me sa duket u vra nga oficerët e policisë që shkuan në vendngjarje dhe se dy oficerë u goditën me armë zjarri. Guvernatori tha se plagët e tyre nuk ishin serioze.
Autoritetet thonë se i dyshuari veproi i vetëm.
Zoti Abbott kishte thënë në një konferencë shtypi disa orë pas ngjarjes se ishin vrarë 14 nxënës shkolle si edhe një mësues/mësuese. Por senatori i shtetit të Teksasit Roland Gutierrez i tha më pas CNN-it, duke cituar policinë e shtetit të Teksasit , se numri i të vdekurve ishte rritur në 18 fëmijë dhe tre të rritur.
Një numër i madh policësh shkoi në vendngjarje, me oficerë të veshur me jelekë antiplumb që drejtonin trafikun dhe agjentë të FBI-së që hynin e dilnin nga ndërtesa. Zyrtarët e shkollës dhe të qytetit nuk u janë përgjigjur pyetjeve për koment.
Presidenti Joe Biden është informuar lidhur me ngjarjen, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.
Zoti Biden "do të vazhdojë të informohet rregullisht", shtoi ajo.
Sulmi në Teksas ndodhi më pak se dy javë pasi një person i armatosur hapi zjarr në një supermarket në Buffalo të Nju Jorkut, duke vrarë 10 persona me ngjyrë. Zyrtarët e kanë cilësuar atë sulm një krim urrejtjeje.
Uvalde ka 16,000 banorë. Qyteti është rreth 120 kilometra larg kufirit me Meksikën.