Në Tiranë, Kuvendi miratoi sot projekt-ligjin për marrëveshjen mbi administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, lidhur ndërmjet ministrisë së kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.
Pas një seance të gjatë me debate të ndezura nga të gjithë palët, ligji i qeverisë u miratua me 75 vota pro dhe mori 18 vota kundër.
Qeveria thotë se ky është një hap me rëndësi për mirëmenaxhimin e Parkut. Opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Butrintit po e kundërshtojnë këtë marrëveshje, pas dyshimeve, se kjo do të sjellë dëmtime në një zonë me rëndësi të madhe kulturore.
Seanca e sotme plenare u parapri nga një tubim proteste në sheshin para Kuvendit, ndërsa projekt-ligji ishte pika e fundit e rendit të ditës.
Veprimtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Butrintit ndaluan disa dhjetëra deputetë për t’u shpjeguar shqetësimin e tyre për projekt-ligjin.
Ata pohuan se do ta paditin në Gjykatën Kushtetuese projekt-ligjin për marrëveshjen mbi administrimin e parkut kombëtar të Butrinit, nëse ai miratohet nga Kuvendi, dhe mund të nisin mbledhjen e mijëra firmave nga qytetarët në kërkim të një referendumi.
Ndërsa brenda Kuvendit deputetët socialistë theksonin se marrëveshja për menaxhimin e Butrinit përmes një fondacioni të ngitur enkas erdhi si një nevojë për mënyra të reja administrimi, sepse sistemi aktual i menaxhimit nuk garanton mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave kulturore atje.
Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit do të sigurojë menaxhim të integruar të pasurisë kulturore, lehtësi në mbledhjen e fondeve dhe financimeve, si dhe zhvilim të qëndrueshëm për të gjithë parkun Konbëtar të Butrintit.
Kryeministri Edi Rama shprehu vendosmërinë e shumicës për të miratuar projekt-ligjin për menaxhimin e Butrintit.
“Fondi Shqiptaro - Amerikan i Zhvillimit ka kontribuar pa asnjë qëllim fitimi, sepse i tillë është fondacioni shqiptaro amerikan dhe i tillë është legjislacioni amerikan. Kjo e fut trashëgiminë tonë kulturore në një tjetër zonë. Ne do ta votojmë siç është ligjin për Butrintit dhe nuk mund të mbani asgjë peng”, - tha ai.
Deputetët e opozitës bënë thirrje që ligji të mos miratohej, sepse ishte antikushtetues dhe i hapte rrugën mundësive të abuzimit nga persona privatë me parkun e Butrintit, një pasuri e madhe kombëtare, e përmasave të tilla sa kudo në botë mbrohet dhe menaxhohet nga shteti.
“Nuk ka asnjë model në asnjë vend të botës që një park kombëtar si Butrinti të menaxhohet nga persona privatë. Në drejtimin e fondacionit vetëm ministrja është përfaqësues shtetëror dhe gjithë të tjerët janë persona privatë, që janë përgatitur të marrin me koncension Butrintit” - tha deputetja Ina Zhupa.
Ministria shqiptare e Kulturës dhe AADF themeluan së fundi Fondacionin për Menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje.
Marrëveshja parashikon plotësimin e standarteve të UNESCO-s për mbrojtjen, konservimin dhe ruajtjen e parkut, si dhe invesitimin edhe 5 milionë dollar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit.
Zyrtarët pohojnë se cdo fitim i Butrintit do të mbetet në Butrint, dhe se atje nuk do të ndërtohen objekte tregtare.
Por veprimtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Butrintit janë dyshues se atje mund të ketë abuzime, përderisa qeveria nuk u ka marrë mendime profesional për menaxhimin e Parkut të Butrintit, dhe sipas tyre, nuk ka zhvilluar dëgjesa publike.