E drejta e grave amerikane për të kryer abort do të kufizohet shumë nëse Gjykata e Lartë anulon vendimin e saj të vitit 1973 për legalizimin e kësaj procedure. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias foli me aktivistë në tre kontinente dhe sjell shqetësimet e tyre për ndikimin që mund të ketë në mbarë botën një vendim i gjykatës amerikane në rast se do të kthente mbrapsht të drejtën e abortit.
Debati filloi para se ata të kishin lindur, por tani të rinjtë në SHBA po i bashkohen plot vrull protestave për të drejtën e abortit. Ky grup u largua nga mësimi për të kërkuar që aborti, sipas Kushtetutës amerikane, të mbetet një e drejtë e privatësisë.
“Vendimi nuk do të prekë vetëm gratë që po mbeten shtatzënë tani. Ai do të ndikojë tek gratë që mbeten shtatzënë në të ardhmen dhe do të ndikojë në të gjitha gjeneratat e ardhshme nëse kjo e drejtë përmbyset”, thotë Harper Shattuck, organizatore e protestës në mbrojte të abortit.
Mes të rinjve ka edhe nga ata që e dënojnë abortin. Ata janë entusiazmuar pasi një variant paraprak i një opinioni të Gjykatës së Lartë që u bë publik nga mediat, tregon se vendimi historik i vitit 1973 që e bën të ligjshëm abortin, është në rrezik.
Nëse ky do të jetë vendimi përfundimtar, 50 shtetet amerikane do të vendosin se në ç’masë do ta lejonin abortin.
Dhe shumë shtete duan ta ndalojnë ose kufizojnë ndjeshëm këtë procedurë.
“Shpresojmë që Gjykata e Lartë të marrë vendimin e duhur dhe ne të jemi në gjendje ta kthejmë diskutimin e abortit në nivele shtetesh dhe të fillojmë me të vërtetë ta diskutojmë atë në komunitetet tona”, thotë Anna Lulis, studente që kundërshton abortin.
A mundet që vende të tjera të ndjekin këtë shembull? Bota po vëzhgon me kujdes.
“Kur Shtetet e Bashkuara ndërmarrin një lëvizje kaq të guximshme dhe të dukshme kundër të drejtave të grave, vendet e tjera gjejnë mbështetje dhe e përdorin atë si mburojë për punën që bëjnë kundër të drejtave jo vetëm për gratë por edhe më gjerë”, thotë Tarah Demant me organizatën Amnesty International.
Sipas Qendrës për të Drejtat Riprodhuese në nivel global, 970 milionë gra jetojnë në vende që përgjithësisht e lejojnë abortin.
Megjithatë, dy në pesë gra në moshë riprodhimi që duan ose kanë nevojë të abortojnë, përballen me kufizime.
Gjykata e Lartë e Meksikës vendosi vitin e kaluar të dekriminalizojë abortin.
Por vetëm tetë nga 32 shtetet e Meksikës kanë ndërmarrë hapa për ta legalizuar abortin.
Ajo që po ndodh në Shtetet e Bashkuara është një shenjë paralajmëruese, thonë aktivistët meksikanë të të drejtave të abortit.
“Ajo që po ndodh në Shtetet e Bashkuara po na tregon se të drejtat tona janë gjithmonë në rrezik, duke pasur parasysh se rrethanat politike mund të ndryshojnë. Grupet kundër të drejtave janë gjithmonë në përpjekje për të hartuar strategji për të bllokuar qasjen e grave për abort”, thotë Adriana Patlan, aktiviste meksikane.
Në Gjenevë të Zvicrës përkrahës të të drejtave riprodhuese të grave nuk janë shumë të shqetësuar për pasojat në Evropë, ku aborti është gjerësisht i lejuar.
“Polonia, Malta, Lihtenshtajni, Andora dhe Monako janë pesë vende në Evropë që ende ruajnë ato që ne i quajmë ligje shumë kufizuese për abortin. Prirja do të mbetet jashtëzakonisht pozitive për sa i përket lëvizjes drejt njohjes së abortit si pjesë e kujdesit shëndetësor thelbësor”, thotë për Zërin e Amerikës Leah Hoctor me Qendrën për të Drejtat e Riprodhimit në Evropë.
Në Afrikë, vetëm disa vende e lejojnë abortin. Një prej tyre është Afrika e Jugut e cila e legalizoi abortin në vitin 1996.
Por kundërshtimi ndaj të drejtave riprodhuese mund të rritet në se do të ketë një ndryshim të ligjit në Shtetet e Bashkuara.
“Në disa nga klinikat tona ka njerëz që protestojnë duke u përpjekur t'i ndalojnë gratë të hyjnë në klinika. Sa më shumë të kufizohet aborti në vendet e tjera/ e njëjta gjë do të zbatohet në Afrikën e Jugut sepse njerëzit thjesht bëhen më të guximshëm”, thotë Whitney Chinogwenya me organizatën “MSI Reproductive Choices-South Africa”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se kufizimi i të drejtës së abortit nuk e ndalon atë dhe se 23,000 gra vdesin çdo vit nga komplikimet pas abortit të pasigurt.
Grupet kundër abortit që intervistoi Zëri i Amerikës e kundërshtojnë këtë argument.
Ata duan që Shtetet e Bashkuara të heqin dorë nga kjo e drejtë 49-vjeçare që ata e shohin si të pamoralshme.
"Shumica e njerëzve nuk e kuptojnë se sa radikale janë ligjet e abortit në Shtetet e Bashkuara. Ne shpresojmë se kjo frymë do ndiqet në mbarë botën, sepse kur qeveritë priren të ndryshojnë ligjet e tyre, ato shpesh citojnë ligjin amerikan", thotë Austin Ruse me organizatën C-Fam.
“Mënyra për të bërë kompromis këtu është të ndihmojmë gratë të kalojnë shtatzënitë e tyre duke u siguruar strehim, kujdes mjekësor, ushqim, veshje dhe të gjitha këto”, thotë Brian Clowes me organizatën Human Life International.
Nuk është e sigurtë se kur mund ta nxjerrë Gjykata e Lartë vendimin e saj për abortin. Por kur kjo të ndodhë, valët goditëse mund të shkojnë përtej brigjeve të Shteteve të Bashkuara.