Lidhje

Presidenti Biden nënshkruan ndihmën prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën


Presidenti Biden nënshkroi të shtunën legjislacionin për ndihmën shtesë prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën, ndërsa agresioni rus i afrohet muajit të katërt.

Legjislacioni, i cili u miratua nga Kongresi me mbështetjen dypartiake, thellon angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Ukrainës në një kohë pasigurie për të ardhmen e luftës. Ukraina e ka mbrojtur me sukses Kievin dhe Rusia e ka përqendruar ofensivën e saj në lindje të vendit, por zyrtarët amerikanë paralajmërojnë për mundësinë e një konflikti të zgjatur.

Ndihma e re synon të mbështesë Ukrainën deri në shtator dhe pason një masë urgjente të mëparshme që kishte siguruar 13.6 miliardë dollarë.

Paketa e re përmban 20 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, duke siguruar një rrjedhë të qëndrueshme armësh të avancuara për të frenuar përparimet e Rusisë. Ajo parashikon gjithashtu 8 miliardë dollarë në mbështetje të përgjithshme ekonomike, 5 miliardë dollarë për të trajtuar mungesat globale ushqimore që mund të rezultojnë nga rrënimi i bujqësisë ukrainase dhe më shumë se 1 miliard dollarë për të ndihmuar refugjatët.

Presidenti Biden e nënshkroi ligjin më rrethana të pazakonta. Duke qenë se ai po bën një udhëtim në Azi, një zyrtar amerikan e solli projekt-ligjin në Seul në mënyrë që presidenti ta nënshkruante, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.

Kjo pasqyron ndjesinë e urgjencës për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, por edhe nxjerr në pah sfidat ndërkombëtare me të cilat përballet zoti Biden.

Vizita në Azi është pjesë e një orientimi të politikës së jashtme për t’i bërë ballë Kinës, por presidentit të Shteteve të Bashkuara i duhet njëkohësisht të vazhdojë të sigurojë burimet në ndihmë të Ukrainës, në konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

XS
SM
MD
LG