Lidhje

Evakuimi i ukrainasve të mbetur pas rënies së Mariupolit


Pas disa muajsh rrethimi, Rusia po merr kontrollin e qytetit port strategjik të Mariupolit në Ukrainë. Punonjësit e ndihmave thonë se nuk e dinë se sa civilë janë ende të bllokuar në qytet. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Heather Murdock, njofton nga qyteti Zaporizhya në Ukrainë, se në muajt e fundit, shumë banorë rrezikuan gjithçka për të dalë nga Mariupoli, por edhe pse jashtë tij, ata jetojnë ende me frikë.

Evakuimi i ukrainasve të mbetur pas rënies së Mariupolit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:12 0:00

Pas disa muajsh bombardimesh, Rusia dhe Ukraina ranë dakord më në fund në fillim të këtij muaji për evakuimin e disa civilëve të bllokuar në Mariupol, një qytet port kyç, tani nën kontrollin e Rusisë.

Zyrtarët e OKB-së thanë se evakuuan qindra njerëz, por nuk dihet se sa të tjerë kanë mbetur të bllokuar dhe po përpiqen të largohen nga qyteti.

“Nuk mund të them. Nuk e di sa njerëz janë ende atje. Por dimë nga njerëzit që u larguan se shumë të tjerë kanë mbetur në qytet”, thotë Saviano Abreu, me Zyrën e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.

Shumica e njerëzve që ikën nga Mariupoli pas sulmit të shkurtit u larguan individualisht ose në grupe, shpesh duke valvitur flamuj të bardhë mbi automjetet e tyre, për të treguar se nuk ishin luftëtarë.

Punonjësit e ndihmave ngritën tenda me ushqime dhe sende të tjera bazë në parkimin e një supermarketi në Zaporizhya, një qytet jo shumë larg zonës së luftës, por ende nën kontrollin e Ukrainës.

Kur familjet mbërrijnë atje për të shkuar drejt strehimoreve për refugjatët, apo për t’u strehuar me miqtë dhe familjet, janë të rraskapitur dhe shpesh të shkatërruar emocionalisht.

Në një strehë nëntokësore aty pranë, një prind i tha Zërit të Amerikës se edhe pasi janë vendosur në një vend relativisht të sigurt, familjet ende janë të frikësuara.

“Rusët i kanë të gjitha informacionet tona në bazat e tyre të të dhënave. Nëse largohesh nga zonat e tyre, kalon përmes 'filtrimit' dhe ata marrin gjurmët e çdo gishti dhe pëllëmbe. Ata marrin të gjitha hollësitë e pasaportës”, thotë Maximi, një banor i shpërngulur nga Mariupoli.

Pavarësisht këtij rreziku, ata duhej të largoheshin sepse brenda zonës së luftës jeta është e paqëndrueshme. Maximi thotë se trupa të pajetë shihen kudo në rrugë.

“Vajza ime e vogël donte të luante jashtë, por ishte e pamundur. Raketat fluturonin jashtë dhe kur shpërthenin, dëmi ishte i jashtëzakonshëm.”

Në fillim të kësaj jave, udhëheqësit ukrainas thanë se beteja e tyre për Mariupolin kishte përfunduar, duke u kërkuar komandantëve në terren, që të shpëtonin jetët e ushtarëve të mbetur.

Qindra ushtarë u evakuuan nga Azovstali, një fabrikë gjigande çeliku me bunkerë nëntokësorë të ndërtuar për të përballuar goditje bërthamore. Shumë nga të evakuuarit ushtarakë ukrainas janë tani në zonat e kontrolluara nga Rusia.

Zyrtarët ukrainas thonë se do të negociojnë për lirimin e tyre, ndërkohë që familjet e tyre po kërkojnë kthimin e tyre të sigurtë.

"Ne duam t'i shohim familjarët tanë në shtëpi, por nuk e dimë se për sa kohë do të jenë atje", thotë Christina, motra e një ushtaraku të humbur ukrainas.

Ndërsa frika nga agresioni rus rritet, Suedia dhe Finlanda dorëzuan kërkesat për anëtarësim në NATO.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov e injoroi këtë lëvizje, duke thënë se nuk do të sillte ndonjë "ndryshim të madh" për sigurinë ruse.

Miliona njerëz janë zhvendosur në gati katër muaj luftë në Ukrainë ndërsa mijëra të tjerë janë vrarë. Në disa zona të pushtuara dikur nga Rusia, por tani të kthyera nën kontrollin ukrainas, zyrtarët po hetojnë informacionet në rritje për krime lufte.

XS
SM
MD
LG