Lidhje

Blinken dhe homologu turk diskutojnë sigurinë globale


Sekretari i Shtetit Antony Blinken shtrëngon duart me ministrin e jashtëm turk Mevlut Cavusoglu në një takim në Gjermani më 15 maj.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken shtrëngon duart me ministrin e jashtëm turk Mevlut Cavusoglu në një takim në Gjermani më 15 maj.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua me Ministrin e Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu të mërkurën (18 maj) në Kombet e Bashkuara, ndërsa Shtetet e Bashkuara nisin presidencën e Këshillit të Sigurimit me një seri takimesh që trajtojnë sigurinë globale të ushqimit.

Homologët Cavusoglu dhe Blinken thanë se do të diskutojnë çështjet që lidhen me sigurinë ushqimore dhe forcimin e lidhjeve ekonomike midis dy vendeve.

Për Ukrainën, sekretari Blinken tha: "Ne kemi shumë në axhendën tonë të përbashkët, duke përfshirë, natyrisht, agresionin e vazhdueshëm të Rusisë kundër Ukrainës. Shtetet e Bashkuara, Turqia, të gjithë aleatët tanë kanë qenë të vendosur në mbështetje të Ukrainës. Dhe ne duam të shohim që këtij agresioni rus ti vijë fundi”.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu përsëriti të mërkurën se Turqia ka shqetësime legjitime për sigurinë lidhur me atë që ai e cilësoi si mbështetje të Suedisë dhe Finlandës për "organizatat terroriste" si arësyen përse Ankaraja ka kundërshtuar pranimin e vendeve nordike në aleancë.

Në një fjalim të shkurtër përpara takimit të tij me homologun e tij amerikan Antony Blinken në Nju Jork, Cavusoglu tha se Ankaraja i kupton shqetësimet e sigurisë të Suedisë dhe Finlandës, por gjithashtu theksoi se shqetësimet e sigurisë së Turqisë duhet gjithashtu të përmbushen.

Zyrtarët amerikanë po përpiqen të përcaktojnë se sa serioz është kundërshtimi i Turqisë ndaj anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO dhe si mund të kapërcehet ai.

Serioziteti i diplomacisë delikate del në pah edhe nga qëndrimi i deritanishëm i Uashingtonit, që duket se ka vendosur të injorojë publikisht komentet e Presidentit Erdogan, që thotë se nuk mund t’i lejojë këto dy vende të anëtarësohen në NATO për shkak të mbështetjes, që sipas tij, i japin grupeve që Turqia i sheh si rrezik për sigurinë e saj. Administrata amerikane është përqëndruar në komentet që kanë bërë zyrtarë të tjerë turq në takime me dyer të mbyllura. “Nuk na takon ne të flasim për qëndrimin e qeverisë turke”, tha dje zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price, në përgjigje të disa pyetjeve rreth qëndrimit të Ankarasë dhe në se Turqia i ka kërkuar diçka tjetër qeverisë amerikanë në shkëmbim të ndryshimit të qëndrimit të saj.

Ajo që po rrezikohet për Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, është mundësia për t’iu përgjigjur sulmit rus në Ukrainë duke forcuar dhe zgjeruar aleancën, pikërisht e kundërta e asaj që Presidenti Putin shpresonte të arrinte para se të fillonte sulmin.

Por sugjerimi i Presidentit Erdogan, se ai mund ta bllokojë anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës, po ashtu vë në pah një dobësi të mundshme që Përsidenti Putin është përpjekur ta shfrytëzojë në të kaluarën, miratimin e vendimeve me konsensus, ku një anëtar i vetëm mund të bllokojë vendimet që mbshteten nga gjithë të tjerët.

Të para fillimisht si të lehta për t’u kapërcyer, kundërshtimet verbale të Turqisë, po shkaktojnë gjithnjë e më shumë shqetësim në Uashington dhe kryeqytetet e tjera të vendeve të NATO-s.

Edhe nëse kapërcehen, ato mund ta shtyjnë anëtarësimin e këtyre dy vendeve me muaj të tërë, sidomos nëse edhe vende të tjera të aleancës fillojnë të kërkojnë lëshime në shkëmbim të votimit pro Finlandës dhe Suedisë.

Presidenti Erdogan është bërë gjithnjë e më autoritar gjatë viteve, dhe shihet si një usdhëheqës i paparashikueshëm, dhe në disa raste komentet e tij kanë qënë në kundërshtim me ato të diplomatëve të tjerë turq.

Komente të ndryshme nga zoti Erdogan dhe Ministria e Jashtme turke, pati për shembull vitin e kaluar, kur zoti Erdogan kërcënoi të dëbonte 10 diplomatë perëndimorë, përfshirë ambasadorin amerikan, të cilin ai e akuzoi për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë së Turqisë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, për shembull, tha të djelën, pas bisedimeve me zyrtarët turq, se Ankaraja e ka bërë të qartë se synimi i saj nuk është të bllokojë anëtarësimet. Po ashtu Sekretari Blinken dhe Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Barbock shprehën besim të plotë se gjithë anëtarët e NATO-s, përfshirë Turqinë do ta mbështesnin anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë.

Komentet e të hënës të Presidentit Erdogan, duke këmbëngulur se ishte kundër anëtarësimit, pasi Suedia dhe Finlanda mbështesin militantët kurdë edhe grupe të tjera që Turqia i sheh si grupe terroriste, ishin të papritura për udhëheqësit e tjerë të NATO-s.

Gonul Tol, drejtore e programeve për Turqinë në Institutin për Lindjen e Mesme tha se ndërsa Erdogani shpesh mban qëndrim të ashpër, ai ka prirjen ta ndryshojë dhe në fund të jetë racional. “Erdogani është i paparashikueshëm, por në të njejtën kohë është pragmatist”, thotë ekspertja, duke shtuar se ai negocion fortë, paraqet kërkesa maksimale, por në fund kënaqet edhe me shumë më pak”.

XS
SM
MD
LG