Presidenti Joe Biden dënoi të martën atë që e quajti helmin e supremacisë së bardhë dhe tha se vendi duhet të "refuzojë gënjeshtrën" e "teorisë raciste të zëvendësimit" të mbështetur nga personi që vrau 10 vetë në Buffalo të shtetit të Nju Jorkut.
Duke folur me familjet e viktimave, zyrtarët lokalë dhe ekipet e ndërhyrjes së shpejtë, Presidenti Biden tha se diversiteti i Amerikës është forca e saj dhe nuk mund të dalë nga kjo rrugë për shkak të një pakice që zgjedh urrejtjen.
"E keqja nuk do të fitojë në Amerikë, ju premtoj," tha zoti Biden. "Urrejtja nuk do të mbizotërojë, supremacia e bardhë nuk do ta ketë fjalën e fundit."
Presidenti Biden foli pasi ai dhe zonja e parë Jill Biden vendosi lule në një memorial të improvizuar për 10 viktimat kryesisht afrikano-amerikanë të vrarë nga një person i bardhë.
Bashkë me disa udhëheqës politikë të Nju Jorkut ata bënë nderimet e tyre në memorialin e ngritur pranë supermarketit ku ndodhi sulmi më i rëndë me motive racore që kur Presidenti Biden mori detyrën.
"Jill dhe unë kemi ardhur për të qenë pranë jush, kemi ardhur për familjet, kemi ardhur sespe ndjejmë të njëjtën dhimbje si ju”, tha zoti Biden.
"Tani është koha që njerëzit e të gjitha racave, të të gjitha grupeve të flasin së bashku si amerikanë dhe të refuzojnë supremacinë e bardhë", shtoi ai.
Teoria e zëvendësimit mund të karakterizohet si një ideologji raciste sipas së cilës njerëzit e bardhë dhe ndikimi i tyre po "zëvendësohen" qëllimisht nga njerëzit me ngjyrë.
Autoritetet thonë se 18 vjeçari Payton Gendron, kreu një akt "ekstremizmi të dhunshëm me motive racore" kur hapi zjarr me një pushkë gjysmë automatike të shtunën në lagjen kryesisht afrikano-amerikane. Ai qëlloi 13 persona me armë zjarri, nga të cilët 10 humbën jetën.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre u tha gazetarëve gjatë udhëtimit për në Buffalo në avionin presidencial se zoti Biden do të ngushëllonte familjet e viktimave dhe do të takohej me anëtarët e organeve të zbatimit të ligjit dhe ekipet e përgjigjes së shpejtë për të shprehur mirënjohjen për guximin e tyre.
Para sulmit, Gendron njoftohet të ketë postuar në internet një manifest të mbushur me racizëm dhe antisemitizëm. Ai shprehte mbështetjen për Dylann Roof, i cili vrau nëntë besimtarë afrikano-amerikanë në një kishë në Charleston të Karolinës së Jugut në vitin 2015 dhe për Brenton Tarrant, i cili kreu një sulm në Zelandën e Re në 2019.
Në vitet që nga ngjarja në Sharlotsvil, teoria e zëvendësimit është zhvendosur nga rrethe të kufizuara në internet në politikën kryesore të krahut të djathtë. Një e treta e të rriturve amerikanë besojnë se ka "një grup njerëzish në këtë vend që po përpiqen të zëvendësojnë amerikanët e lindur në vend me emigrantë që pajtohen me pikëpamjet e tyre politike", sipas një sondazhi të kryer në dhjetor nga agjencia Associated Press dhe Qendra NORC për Hulumtimin e Çështjeve Publike.
Retorika e teorisë së zëvendësimit është përhapur gjithashtu në fushatat kryesore republikane.
Megjithëse presidenti Biden nuk ka folur drejtpërdrejt për teorinë e zëvendësimit, paralajmërimet e tij për racizmin mbeten një pjesë e fjalimeve të tij publike.