Lidhje

BE-ja nuk arrin marrëveshje për embargon e naftës ndaj Rusisë


Përpjekjet e Bashkimit Evropian për të vendosur një raund të ri sanksionesh kundër Rusisë në përgjigje të luftës në Ukrainë u duk se ngecën të hënën, pasi një grup i vogël vendesh kundërshtuan ndalimin e importeve të naftës ruse. Megjithatë, sipas përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për politikën e jashtme, Josep Borrell, unioni ra dakort të ofrojë edhe 500 milionë dollarë ndihma të mëtejshme ushtarake për Ukrainën.

Më konkretisht, ministrat e jashtëm të BE-së nuk arritën ta bindin Hungarinë të heqë veton e vendosur ndaj një embargoje të propozuar për naftën ruse.

Zoti Borrell tha se megjithëse nuk u arrit një marrëveshje të hënën, çështja i është kaluar ambasadorëve për të vazhduar negociatat.

Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, kishte thënë se ishte e rëndësishme që të gjitha vendet të vepronin së bashku në këtë drejtim.

Komisioni Evropian, ka propozuar një paketë të gjashtë sanksionesh në përgjigje të agresionit rus që përfshin ndalimin e importeve të naftës nga Rusia.

Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen e ka pranuar se nuk do të jetë e lehtë që të gjitha palët të binin dakord për një gjë të tillë.

Hungaria është njëri nga vendet pa dalje në det që janë shumë të varura nga nafta ruse, së bashku me Republikën Çeke dhe Sllovakinë. Edhe Bullgaria ka rezerva.

Hungaria merr më shumë se 60% të naftës së saj nga Rusia dhe 85% të gazit natyror.

Vështirësitë për arritjen e një konsensusi për importet e naftës ruse ngrenë pyetjen nëse BE-ja ka arritur maksimumin e unitetit lidhur me sanksionet.

XS
SM
MD
LG