Lidhje

Suedia njofton zyrtarisht planet për anëtarësim në NATO


Magdalena Andersson
Magdalena Andersson

Qeveria e Suedisë mori vendimin zyrtar të hënën për të paraqitur kërkesën për anëtarësim në NATO, duke ndjekur hapat e fqinjit të saj Finlandës, në një lëvizje që do ta ndryshojë hartën gjeopolitike të Evropës veriore. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken thotë se Shtetet e Bashkuara mbështesin anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO. Udhëheqësit e këtyre vendeve thonë se lufta në Ukrainë i bëri ata të shqyrtojnë sigurinë e tyre.

Suedia njofton zyrtarisht planet për anëtarësim në NATO
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:50 0:00

Vendimi i Suedisë për të bërë kërkesën për anëtarësim në NATO vjen pas më shumë se 200 vjet të një qëndrimi neutral ushtarak dhe pritet të shqetësojë presidentin rus Vladimir Putin.

"Qeveria ka vendosur të informojë NATO-n se Suedia dëshiron të bëhet anëtare e aleancës", tha të hënën kryeministrja suedeze Magdalena Andersson.

Njoftimi erdhi pasi një debati në parlamentin suedez, ku pati një mbështetje të madhe për anëtarësimin e vendit në NATO. Nga tetë partitë e Suedisë, vetëm dy parti më të vogla të majta e kundërshtuan qëndrimin e qeverisë.

Shtetet e Bashkuara thanë se mirëpresin deklaratat e Finlandës dhe Suedisë mbi synimin e tyre për të kërkuar anëtarësimin në NATO.
"Ne do t'i mbështesim fuqimisht kërkesat e tyre kur ato të paraqiten zyrtarisht në Bruksel, por Finlanda dhe Suedia janë partnerë të ngushtë dhe të vlerësuar të mbrojtjes për Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n", tha Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

Diplomatët e lartë të NATO-s u takuan të dielën në Berlin për të diskutuar mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën dhe planet e Finlandës dhe Suedisë për t'u anëtarësuar në aleancën më të madhe ushtarake në botë, e cila ka furnizuar Ukrainën me armë gjatë gjithë luftës.

“Në takimin me aleatët në Berlin morën pjesë edhe ministrat e jashtëm të Suedisë dhe Finlandës. Të dy vendet janë partnerë të ngushtë dhe të vlefshëm të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara, dhe Uashingtoni do të mbështesë fuqimisht anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, nëse ato zyrtarisht vendosin ta bëjnë këtë”, tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.

Finlanda ndan një kufi 1,300 kilometra të gjatë me Rusinë. Të dielën, ajo njoftoi zyrtarisht synimin e saj për anëtarësim në NATO.

Presidenti rus Vladimir Putin thotë se anëtarësimi i Finlandës në NATO do të ishte veprim i gabuar. Presidenti i Finlandës foli me zotin Putin dhe tha se ishte i befasuar nga qetësia me të cilën ai e priti lajmin për planin e Finlandës për t'u anëtarësuar në NATO.

“Situata tani ka ndryshuar. Ne do të fillojmë procesin e anëtarësimit në NATO. Putini, gjithashtu konfirmoi se ai mendon se ky është një gabim. Por tha se ‘Nuk po ju kërcënojmë.’ Në përgjithësi, diskutimi ishte i qetë dhe i ftohtë”, tha presidenti i Finlandës, Sauli Niinistö.

Parlamenti i Finlandës do të duhet të miratojë një kërkesë zyrtare për t'u anëtarësuar në NATO, por njoftimi i presidentit finlandez vjen pas një rekomandimi parlamentar këtë javë për ta bërë këtë. Megjithatë, anëtarësimi në NATO kërkon kohë dhe nuk është e qartë nëse Rusia do ta ndëshkonte paraprakisht këtë vend evropian.

Një pengesë që duhet kapërcyer është kundërshtimi i Turqisë ndaj anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë. Anëtarësimi në aleancë kërkon një votë unanime.

Kjo nuk e ndihmon Ukrainën, e cila po lufton me Rusinë që nga shkurti.

“Qëndrimi i tanishëm i Suedisë dhe Finlandës për të aplikuar për anëtarësim në NATO dhe përgjigja nga aleatët që kjo të shqyrtohet dhe përmbushet menjëherë është një shenjë e qartë se NATO ka mësuar nga gabimet e saj politike”, tha zëvendëskryeministrja e Ukrainës Olga Stefanishyna.

Parlamenti i Finlandës pritet të votojë për anëtarësimin në NATO në ditët në vijim, një veprim që pritet të pasohet nga Suedia.

XS
SM
MD
LG