Lidhje

SHBA siguron Ukrainën për mbështetjen e aleatëve


Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken siguroi Ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba për mbështetjen e aleatëve për Ukrainën gjatë një takimi në Berlin, ku po mbahet një takim informal i vendeve të NATO-s.

Dy kryediplomatët biseduan rreth agresionit të Rusisë dhe ndikimit që ai ka pasur jo vetëm në Ukrainë, por edhe në pjesën tjetër të botës.

Zoti Blinken foli me zotin Kuleba edhe për takimet e fundjavës së G-7 dhe NATO-s.

Ndërkohë forcat ukrainase kanë ndërmarrë një kundërofensivë pranë qytetit Izium në Ukrainën verilindore të kontrolluar nga Rusia, tha një guvernator rajonal. Ukraina po përpiqet t’i zmbrapsë forcat ruse nga ajo zonë dhe të mos i lejojë ato të rrethojnë mijëra trupa ukrainase në frontin lindor të Donbasit.

Rusia i ka përqendruar përpjekjet e saj në Donbas pasi nuk arriti të pushtonte kryeqytetin e Ukrainës, Kievin, në fillim të luftës. Por Ukraina ka rimarrë disa territore, përfshirë qytetin e saj të dytë më të madh, Kharkiv, në verilindje.

XS
SM
MD
LG