Tetë atletë adoleshentë ukrainas që janë strehuar në Shqipëri, po vazhdojnë stërvitjet e tyre sportive në qytetin e Elbasanit. Por, me mendje e zemër ata janë në shtëpi tek familjarët e tyre që po vazhdojnë të përballen me agresionin rus.
Atletë të rinj nga Ukraina që kanë gjetur strehim në Shqipëri flasin mbi mallin për familjet, frikën dhe dhimbjen që po u shkakton agresioni i Rusisë kundër vendit të tyre, ndërsa vazhdojnë stërvitjet në qytetin e Elbasanit.
“Më mungon nëna dhe vendi im, Më mungon qyteti im, stërvitjet. Më mungon trajneri. Ata qëndruan në shtëpi, ndërsa unë jam e vetme. Më mungojnë këshillat e gjyshes dhe gatimet e nënës. E dua familjen dhe trajnerin tim. Të gjithë më mungojnë”, thotë Maria Lariva.
"Dua të kthehem sepse më mungon familja ime. Të gjithë duan të shkojnë në shtëpi. Shqipëria është vend i mirë, por ne jemi ukrainas. Duam të kthehemi tek prindërit tanë”, thotë Valentyn Loboda.
Maria dhe Valentyn, së bashku me gjashtë sportistë të tjerë ukrainas, u larguan nga vendi i tyre për t’u përgatitur për kampionatin botëror të atletikës për sportistët nën 20 vjeç që mbahet në gusht.
Nga fundi i marsit atletët nuk janë takuar me familjarët e tyre që ndodhen në qytetin Bakhmut në rajonin e Donjetskut.
"Kjo nuk është luftë. Po vriten njerëzit e Ukrainës. Prandaj duhet të ndërpritet menjëherë, sepse njerëzit po vdesin dhe qytetet po shkatërrohen”, thotë atleti Loboda.
"Shpresojmë që lufta të përfundojë së shpejti. E di se Ukraina do ta fitojë këtë luftë. Të gjithë njerëzit duhet ta duan fundin e kësaj lufte sepse po vdesin prindër e fëmijë. Është shumë e rëndë dhe e dhimbshme për vendin tonë”, thotë sportisja Lariva.
Megjithëse u mungojnë shumica e pajisjeve të nevojshme, atletët e rinj po vazhdojnë stërvitjet me ndihmën klubit sportiv “Elbasani”.
"Ne u kemi ofruar kushtet themelore për të respektuar një të ardhur, një mik. Tani ata janë miq të shtëpisë sonë. Ne u ofrojmë atë që është e domosdoshme për një njeri normal por dhe si sportist. Një vend për të fjetur dhe ushqimi sipas parametrave që ata kanë kërkuar”, thotë Artin Kovaçi, drejtor i klubit sportiv “Elbasani”.
Sportistët adoleshentë shprehen mirënjohës ndaj autoriteteve shqiptare për mbëshetjen e ofruar nga data 24 shkurt, kur edhe filloi sulmi rus mbi Ukrainën.